Berisha: Të reduktohet koha e marrjes së licencave
Koha e marrjes së një licence duhet të reduktohet edhe më tej. Kështu është shprehur dje kreu i qeverisë Berisha, gjatë mbledhjes së task force për reformën rregullatore. Pas diskutimeve të zhvilluara dhe një ekspozeje që Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Licencimit, i bëri procedurave të licencimit, Kryeministri Berisha kërkoi më shumë bashkëpunim nga ministritë e linjës për reduktimin në maksimum të afateve për pajisjen e subjekteve licenca të kategorisë së tretë. Kjo kategori licencimi bëhet pas aplikimit në Qendrën Kombëtare të Licencimit, por më pas, kërkesa i përcillet ministrive të linjës, veprimtaria e të cilave lidhet me licencat përkatëse. Kryeministri Berisha kërkoi nga ministritë që të sjellin brenda një afati sa më shkurtër ndryshimet në kuadrin ligjor, në mënyrë që të nisë sa më shpejtë zbatimi i afateve të reja për marrjen e lejeve dhe licencave. Gjatë mbledhjes së djeshme u diskutua edhe për reformën në sistemin e inspektimit, e cila synon që eliminimi i pengesave dhe burokracive në regjistrim dhe licencim të plotësohet me eliminimin e pengesave në inspektim. Për këtë, kërkohet një kombinim i arritjeve në regjistrim dhe licencim me transformimin e modelit të inspektimit në Shqipëri. Berisha e ka cilësuar reformën në sistemin e inspektimit, si një aspekt jetik për të lehtësuar biznesin.