Kapen 3 klandestinë mes emigrantëve të rregullt në Vlorë
VLORË – Gjatë dy ditëve të fundit ka nisur fluksi i lartë i emigrantëve që largohen nga territori i Shqipërisë në drejtim të Italisë, nëpërmjet Portit të Vlorës, por në radhën e shtetasve me dokumente të rregullta janë gjetur dhe ndaluar edhe persona me letra të falsifikuara. Drejtori i Policisë së Kufirit dhe Emigracionit për Qarkun e Vlorës, Myzafer Elezi, pohoi se gjatë ditës së diel kanë qenë tri tentativa të kalimit të paligjshëm të kufirit nëpërmjet Portit të Vlorës, ku tre persona kishin prenotuar biletë autobusi dhe tentuan kalimin me dokumentacion të falsifikuar. Sipas tij, është bërë parandalimi i këtyre kalimeve, ndërsa janë shtrënguar masat për kontrollet si të pasagjerëve, edhe të automjeteve. Nga ana tjetër, emigrantët shprehen se radhët janë problem i përhershëm i largimit. Sipas tyre, nuk është vetëm faji i organizimit, por edhe shumësisë së personave që kërkojnë të largohen në të njëjtën kohë. Nga data 2 deri ditën e djeshme, nëpërmjet Portit të Vlorës kanë dalë në total rreth 5 mijë pasagjerë dhe 1 mijë automjete.
Fluks emigrantësh në Durrës, agjencitë shtojnë numrin e trageteve
DURRËS - Fluksi i emigrantëve që largohen nga Porti i Durrësit në drejtim të Italisë ka detyruar agjencitë të shtojnë numrin e trageteve në dispozicion. Sipas të dhënave të fundit, numri i trageteve ka arritur në 11 të tillë. Për fat, edhe pse numri i emigrantëve që presin është në rritje, në port nuk janë shënuar radhë të gjata dhe vetë udhëtarët pranojnë se përpunimi bëhet shumë shpjet. Ditët e para të këtij viti, nëpërmjet Portit të Durrësit janë larguar rreth 15 mijë emigrantë, vendas e të huaj dhe rreth 2700 automjete. Aktualisht punohet me 8 sportele dhe në dispozicion janë 11 tragete, por burime portale bëjnë me dije se në rast të shtimit të fluksit do të vihen në punë edhe të tjerë sportele. Kurse agjencitë kanë njoftuar se janë të gatshme të vënë në lëvizje edhe më shumë tragete.
Mendohet që data 12 janar të shënojë edhe fundin e ikjes së emigrantëve përmes këtij porti, kurse numri pritet të vijë në rritje.
6 Janar 2009