E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis shpërndarja e fondit për kompensimin e banorëve të pallatit të shembur



GJIROKASTËR - 18 familjet e prekura nga shembja e pallatit pesëkatësh mesditën e 9 nëntorit të vitit të kaluar tërhoqën të hënën në Filialin e Bankës Popullore në Gjirokastër dëmshpërblimin prej 46 milionë lekësh të reja, fond i akorduar nga buxheti i shtetit.
Aida Karalli, drejtoresha e Filialit të B.P. të Gjirokastrës, sqaroi se në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, shtatë familje që kishin në pronësi apartamente 1+1 përfituan shumën prej 2, 8 milionë lekësh të reja, shtatë familje të tjera që kishin apartamente 2+1 përfituan shumën prej 3,6 milionë lekësh të reja, ndërsa katër familje që jetonin si qiramarës përfituan shumën prej 400 mijë lekësh. Ajo tha se gjatë ditës së djeshme, punonjësit e bankës kanë kryer të gjitha procedurat bankare dhe tashmë këto familje kanë të depozituar në numrat e tyre të llogarisë shumën e akorduar nga qeveria shqiptare.
Disa nga familjarët e prekur nga tragjedia e 9 nëntorit thanë se me dëmshpërblimin e dhënë nga qeveria shqiptare shumë shpejt ata do të përfitojnë apartamente me koston e ndërtimit, falë marrëveshjes që është arritur midis Prefekturës, Bashkisë, Këshillit të Qarkut dhe Shoqatës së Ndërtuesve të Gjirokastrës. Njëkohësisht, Bashkia e qytetit të Gjirokastrës do të çojë për aprovim në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak akordimin e shumës prej 500.000 lekësh të reja për çdo familje, për blerjen e orendive shtëpiake.

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›