Tragjedia e Gjirokastrës, gjykata lë të lirë gjeologun
GJIROKASTËR - Prokuroria e Gjirokastrës ka pushuar çështjen ndaj njërit prej 8 të arrestuarve për shembjen e pallatit më 9 nëntor. Pas mbërritjes në organin e akuzës të studimit gjeologo-inxhinierik dhe rishqyrtimit të provave është arritur në konkluzionin se inxhinieri gjeolog Thanas Llahana është i pafajshëm. Dje, ai është rikthyer në punë pranë Drejtorisë Rajonale të Gjeologjisë. Llahana kishte kryer studimin gjeologjik për ndërtesën e re që do të ngrihej për qendrën tregtare dhe akuza që rëndonte mbi të ishte ajo e shkeljes së rregullave në punë. Për këtë ngjarje, ku humbën jetë tre shtetase, u plagosën edhe tre të tjerë dhe mbetën të pastrehë shumë njerëz, u arrestuan 8 persona. Prej tyre, 7 veta janë në burg, ndërsa dy të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Deri në fund të vitit, familjarët e ndërtesës së shembur bënë grevë urie pasi kërkuan që të kompensoheshin 100 për qind nga shteti. Por ata e ndërprenë, duke detyruar autoritetet vendore dhe kompaninë që shkaktoi dëmin për të gjetur një skemë kompensimi.
Shkrumbohet “Mitsubishi” në mes të Vlorës
VLORË - Një automjet është djegur gjatë orëve të para të ditës së djeshme në qytetin e Vlorës, në afërsi të zonës së Skelës, për shkaqe që nuk dihen ende. Burimet zyrtare raportojnë se automjeti i markës “Mitsubishi”, ngjyrë blu, me targa VL 5244 C, është përfshirë nga flakët në pjesën e pasme të tij, si dhe brenda kabinës. Kanë qenë zjarrfikësit që kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit dhe duke bërë të mundur shpëtimin e pjesës së përparme të automjetit, ndërsa pjesa e pasme së bashku me tapicerinë është djegur gati plotësisht. Sipas policisë, e cila ka mbërritur në vendngjarje, nga deklaratat e vetë pronarit ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të një qarku elektrik si pasojë e një karikuesi baterish i lidhur me ndezësen e cigareve. Ndërkohë që ngjarja është regjistruar si aksident, policia ka rrëzuar dyshimet e një zjarrvënieje të qëllimshme. Një koincidencë kurioze është dhe fakti që vetëm vitin e kaluar në këtë vend janë djegur më shumë se tre automjete dhe të gjitha janë regjistruar si aksidentale. Më i fundit ishte pak ditë më parë, ku si shkaktar i zjarrit u përcaktua një qark i shkurtër në kasetofon. Midis makinave të djegura në këtë rrugë ka qenë dhe automjeti i një efektivi policie, por shkaktari edhe në këtë rast doli një qark elektrik.
6 Janar 2009