E Diel, 1 Nëntor 2026

Krizë e krijuar në Zyrën Ovale

Kjo është hera e parë në historinë e SHBA-së që
Presidenti ka provokuar një panik financiar, në
mënyrë që të marrë miratimin e një legjislacioni
nga Kongresi. Gjersa kjo ka dëshmuar të jetë një
strategji e suksesshme politike, pasi që Dhoma e Përfaqësuesve
në fund e miratoi planin për shpëtimin e bankave,
e shënon edhe një pikë të ulët në politikat amerikane. Ishte
jashtëzakonisht e papërgjegjshme nga ana e Xhorxh
Bushit t‘i thotë popullit amerikan në televizionin shtetëror,
që shteti mund të përballet me një tjetër depresion të
madh. Në të kundërtën, kur ne në fakt ishim në Depresionin
e Madh, Presidenti Ruzvelt tha: "Ne nuk kemi nga se të
frikësohemi, veç nga vetë frika".
Ishte edhe më shumë papërgjegjshmëri nga ana e Presidentit
Bush përdorimi i rënies në tregjet e bursave pesë
ditë më vonë, si dëshmi që plani i tij për shpëtim ishte i
nevojshëm për ekonominë. Presidenti Bush duhet të kuptojë,
ashtu si të gjithë ekonomistët e dinë, se luhatjet ditore
në tregun e bursave udhëhiqen nga psikologjia e
masave dhe pothuajse nuk kanë asgjë të bëjnë me fuqinë
thelbësore të ekonomisë. Taktikat e frikës të Presidentit
Bush, Henri Pualsonit, sekretarit të Thesarit dhe Ben Bernakes,
kryetarit të Rezervës Federale, krijuan panik të mjaftueshëm,
në atë mënyrë, që kur erdhi koha për votimin e
parë mbi paketën emergjente në Kongres, shumica e publikut
besonte se dështimi i kësaj pakete në fakt mund të
ketë pasoja serioze për ekonominë.
Miliona njerëz kanë ndryshuar sjelljet e tyre, për shkak
të kësaj frike, shumica kanë tërhequr paratë e tyre nga
bankat dhe llogaritë e tregjeve të parave dhe kanë ndryshuar
planet e tyre financiare në mënyra të tjera. Kjo përpjekje
që të promovohet paniku është posaçërisht thumbuese,
sepse situata e llahtarshme ekonomike e shtetit është
pothuajse tërësisht pasojë e dështimeve politike të administratës
së Bushit. Së pari dhe më së shumti, vendimi i
Paulsonit dhe Bernakes (dhe më herët e Alan Grinspanit)
që të shpërfillet flluska e krijuar nga blerjet e shtëpive me
hua, lejoi rritjen e një flluske 8 trilionë dollarëshe, e cila tani
po shpërthen e po shembet. Eshtë dështimi i kësaj flluske,
e cila tashmë ka shkatërruar më shumë se 4 trilionë dollarë
në pasuri të patundshmërive dhe, si po duket do të shkatërrojë
edhe 4 trilionë dollarë të tjera gjatë vitit të ardhshëm.
Ndërsa ekonomistët kompetentë po paralajmëronin
për këtë flluske dhe pasojat e llahtarshme të shpërthimit
të saj, zyrtarët e lartë në administratën e Bushit po festonin
rritjen e numrave të pronësisë së shtëpive. Administrata
e Bushit e përkeqësoi edhe më tej krizën, duke çrregulluar
Wall Street-in. Kjo çoi te privilegjet e mëdha për institutet
financiare dhe ka komplikuar tepër politikat
ekonomike të shtetit. Eshtë posaçërisht tronditëse që sekretari
Paulson personalisht përfitoi nga këto politika, duke
fituar me miliona dollarë në kompensime nga Goldman
Saks gjatë viteve të tij aty si drejtor ekzekutiv. Shpërthimi
i flluskës së pronësive, gjersa është më e vogël sesa madhësia
e Depresionit të Madh, ka shans të hapë rrugën për
rënien më të madhe që nga lufta e dytë botërore. Rregullimi
i dëmit të bërë nga kjo flluskë do të jetë një proces i gjatë
dhe i vështirë. Pastrimi i dëmit ndaj sistemit politik nga
kampanja e paparë e frikës, e bërë nga Presidenti Bush,
mund të dëshmohet edhe më e vështirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›