Kapen 4 makina, rezultonin të vjedhura në Gjermani e Zvicër
Tiranë – Policia e Tiranës ka kryer verifikimet për një sërë automjetesh, nga të cilat 4 prej tyre kanë rezultuar të vjedhura në Gjermani dhe Zvicër. Burime policore thanë për gazetën “Albania” se automjeti i parë në listë ka qenë ai tip “Bens”, me targë DR 3802 E, që është bllokuar pranë sheshit “Wilson”, teksa drejtohej nga 23-vjeçari Ardi Torollari, lindur në Pogradec dhe banues në Tiranë. Nga verifikimet e kryera, rezultoi se ky automjet ishte vjedhur në Gjermani më 4 shtator të vitit 2003. Gjithashtu uniformat blu kanë kryer veprimet procedurale edhe për automjetin tip BMW me targë B YY 730. Ky automjet u bllokua në bulevardin “Bajram Curri” teksa drejtohej nga 26-vjeçari F.M., lindur dhe banues në Tiranë. Nga verifikimet e kryera, rezulton se ky automjet është i vjedhur në Zvicër më 18 korrik të vitit 2006. Një tjetër automjet i verifikuar si i vjedhur ka qenë edhe ai tip BMW me targë BM 498 HZ, që u bllokua në bulevardin “Bajram Curri” dhe drejtohej nga B.M., 35 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Nga verifikimet e kryera rezultoi se ky mjet ishte vjedhur në Itali më 2 korrik të vitit 2009. Ndërsa automjeti i fundit që rezultoi i vjedhur ka qenë ai i tipit “Audi”, me targë TR 7315 L. Ky automjet është bllokuar në rrugën “Frederik Shiroka” në Tiranë, dhe në momentin e sekuestrimit automjeti drejtohej nga 36-vjeçari A.L., lindur në Dibër dhe banues në Tiranë. Nga verifikimet e kryera, rezultoi se ky mjet ishte vjedhur në Gjermani, më 17 maj të vitit 2005. Materialet për automjetet e lartpërmendura do t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës, në gjendje të lirë, për veprën penale të “trafikimit të mjeteve motorike”, parashikuar nga neni 141/a i Kodit të procedurës Penale.
Arrestohet nga policia, kishte vjedhur një biçikletë
Kavajë – Forcat e policisë kanë kryer arrestimin në flagrancë të 20-vjeçarit Hamidjan Tila, 20 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Golem, Kavajë, i dënuar më parë për vjedhje. Arrestimi i tij u krye sepse është kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit Kavajë, me një biçikletë, të cilën e kishte vjedhur gjatë natës në ambientet e fshatit turistik Eorokol. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Kavajë, për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134/1 i Kodit Penal.
Lazarat, bllokohen kamionë me pleh e ujë të hashashit
Gjirokastër - Janë 16 automjete me pleh dhe 8 automjete të modifikuara si autobote uji të cilat janë bllokuar gjatë operacionit që ka nisur Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës dhe që pritet të vazhdojë deri në muajin shtator. Autobotet e ujit, sipas policisë, përdoren për të vaditur parcelat e mbjella me bimë narkotike, pasi pozicioni i fshatit dhe mungesat e rezervave të ujit e vështirësojnë në një farë mënyre kultivimin e kanabisit që njihet për “etjen” e madhe. Policia e skajit jugor të vendit ka ngritur postblloqe në lidhjet e fshatit me rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë, nga ku vinin furnizime më të mëdha me pleh organik dhe ujë për në Lazarat. Për të siguruar postblloqet, duke pasur parasysh eksperiencën e vitit të kaluar, në rrugë policia kishte nxjerrë edhe autoblindat dhe shërbime të tjera të gatshme për të ndërhyrë. Sipas policisë, janë bllokuar të gjitha mjetet të cilat nuk kishin dokumentacion për kryerjen e aktivitetit të transportit të plehut apo të përshtatjes për transport të ujit. Ndërsa, u janë shkarkuar cisternat apo thasët e plehut edhe automjeteve që kishin dokumentacion për kryerjen e një aktiviteti të tillë.
28 Korrik 2009