Gjendet i vetëvarur në banesë drejtori francez i “Carrefour”
Xavier Thibonet, 42 vjeç, është i vetëvarur në tualetin e apartamentit me qira rreth mesditës së djeshme. Ekspertët dyshojnë se vetëvrasja ka ndodhur dy ditë më parë, por mbeten ende të panjohura motivet e ngjarjes së rëndë
Tiranë Një shtetas francez, me banim të përkohshëm në kryeqytet, është gjetur i vetëvrarë në apartamentin e marrë me qira në rrugën “Pjetër Budi” në kryeqytet. Viktima është identifikuar nga policia si Xavier Thibonet, 42 vjeç, i cili jetonte prej rreth një viti në Shqipëri, si përfaqësues i një biznesi të huaj. Viktima rezulton të jetë drejtori për Shqipërinë i rrjetit gjigant francez të hipermarketeve “Carrefour”. 42-vjeçari, që prej një muaji jetonte i vetëm në një apartament të marrë me qira në Tiranë, është gjetur i vdekur në tualetin e banesës rreth orës 13:15 minuta të ditës së djeshme. Mungesa në punë ka alarmuar bashkëpunëtorët e tij, të cilët rreth mesditës së djeshme e kanë kërkuar në shtëpi. Pas disa tentativave të pasuksesshme për të komunikuar në telefon, disa punonjës të kompanisë “Carrefour” kanë kontaktuar me administratorin e pallatit ku banonte 42-vjeçari. Sipas tyre, dera e apartamentit ka qenë e mbyllur nga brenda dhe pa asnjë mundësi për të hyrë në banesë. Punonjësit e pallatit së bashku me disa persona të tjerë kanë hyrë nga ballkoni i apartamentit ngjitur dhe më pas kanë thyer derën e ballkonit duke hyrë kështu në apartamentin e katit të tretë ku banonte prej rreth 7 muajsh Xavier Thibonet. Punonjësit e pallatit kanë gjetur 42-vjeçarin në ambientet e tualetit të varur me një kabllo elektrike. Menjëherë janë lajmëruar uniformat blu dhe prokurori i gatshëm, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje. Ekspertët së bashku me grupin hetimor kanë qëndruar deri në orën 16:00 në ambientet e brendshme të apartamentit, ku kanë marrë të gjitha gjurmët dhe provat e nevojshme. Sipas ekspertëve, mësohet se 42-vjeçari mund t’i ketë dhënë fund jetës rreth mbrëmjes së djeshme. Duke përfituar nga të qenit vetëm, Xavier Thibonet i ka dhënë fund jetës ndoshta për shkak të depresionit. Nga hetimet e deritanishme policia nuk ka mundur të gjejë një pistë përfundimtare, e cila ka detyruar 42-vjeçarin francez t’i jap fund jetës në këtë mënyrë. Sipas të dhënave të para, mësohet se Xavier Thibonet ka mbërritur në Tiranë 7 muaj më parë, si i dërguar i kompanisë “Carrefour”, e cila do të hapte një filial të sajin edhe në Shqipëri. Thibonet është transferuar nga Bullgaria ku ka ushtruar të njëjtën detyrë, atë të drejtorit të hipermarketit “Carrefour” në Sofie, së bashku me të dashurën e tij ruse. Të dy janë vendosur në një apartament të marrë me qira në Rrugën e Elbasanit dhe vetëm tre muaj më parë çifti kishte zhvilluar edhe ceremoninë e martesës. Prej një muaji bashkëshortja e tij ruse ishte larguar nga Shqipëria dhe 42-vjeçari jetonte i vetëm. Pronari i banesës së marrë me qira nga shtetasi francez tregon se ai ishte një njeri i përkushtuar ndaj punës, pasi pjesën më të madhe të ditës e kalonte në zyrën e tij. Fqinjët dhe pronarët e bizneseve përreth thonë se Xavier Thibonet ishte njeri i rregullt dhe i respektueshëm. Miqtë e francezit kanë deklaruar për policinë se 42-vjeçari nuk ka shfaqur asnjëherë probleme, qoftë për çështjet e punës apo edhe për motive personale. Por policia dyshon se shkak i vetëvrasjes është depresioni, edhe pse nga hetimet e para nuk është bërë e mundur të zbulohen motivet që çuan drejt vetëvarjes drejtorin e hipermarketit “Carrefour”. Policia ka marrë dëshmitë e fqinjëve dhe personave të njohur të viktimës, ndërsa pritet të marrë në pyetje edhe miqtë e tij të afërt, apo edhe njerëzit me të cilët ai punonte në Tiranë.
Administratori i pallatit: Si e gjetëm të vdekur francezin
Punonjësi i pallatit tregon tentativat për të hapur derën e apartamentit të kyçur nga brenda, pas shqetësimit të miqve të tij dhe përballjen me skenën e vetëvrasjes në tualet
Tiranë Njëri prej dy administratorëve të pallatit ku jetonte 42-vjeçari francez ka treguar për gazetën “Mapo” momentet e para kur është përballur me skenën e ngjarjes. Ilir Gj. tha se mesditën e djeshme është kontaktuar nga bashkëpunëtorët e shtetasit francez, të cilët i kanë kërkuar ndihmë, pasi nuk mund të kontaktonin me të në telefon. “Së bashku me punonjësit e Security shkuam në apartamentin ku banonte ai. Trokitëm në derë, por nuk morëm asnjë përgjigje. Tentuam të hapim derën e apartamentit, por ishte e pamundur.”- rrëfen administratori i pallatit. Iliri tregon se pasi kishin tentuar disa herë për të hapur derën e apartamentit ku jetonte 42-vjeçari, kanë kontaktuar me banorët e apartamenteve fqinj për të parë mundësinë e kalimit nga ballkoni i fqinjëve në apartamentin ku jetonte. “U futën nga ballkoni, nga ana tjetër e pallatit dhe thyem derën e ballkonit të apartamentit. Sapo u futëm në shtëpi e gjetëm të vetëvarur në banjën e shtëpisë. Kishte varur veten me një kabllo. Më pas lajmëruam policinë, e cila erdhi në vendngjarje”- tregon administratori i pallatit. Pas këqyrjes së kufomës, ekspertët hodhën dyshime se vdekja e 42-vjeçarit ka ndodhur rreth pasdites së të premtes, ose gjatë orëve të mbrëmjes. Ky version konfirmohet edhe nga pastruesja e shtëpisë, e cila si zakonisht ka shkuar rreth pasdites në apartamentin e 42-vjeçarit, por nuk ka mundur të hapë dot derën. Ajo ka kontaktuar me pronarët e shtëpisë, duke u thënë se dera nuk hapet, pasi ka çelës nga brenda. Pronarët e apartamentit kanë tentuar të kontaktojnë me shtetasin francez nëpërmjet telefonit, duke i dërguar edhe sms, por nuk kanë marrë përgjigje prej tij. Duke menduar se mund të ketë qenë i zënë me punë, as pastruesja dhe as pronarët e apartamentit nuk e kanë shqetësuar më, deri ditën e djeshme kur kanë mbërritur të alarmuar bashkëpunëtorët e 42-vjeçarit, të cilët nuk arrinin ta kontaktonin nëpërmjet telefonit.
“Carrefour”: Vetëvrasja për shkaqe personale
Përmes agjencisë franceze të lajmeve AFP, kompania “Carrefour” me qendër në Paris ka reaguar dje në lidhje me vetëvarjen e drejtorit të hipermarketit të saj të hapur në Tiranë pak ditë më parë. Kompania franceze kumtoi se vetëvrasja e shtetasit Xavier Thibonet lidhet me shkaqe personale. Sipas AFP, hipermarketi “Carrefour” i hapur në Tiranë ka një sipërfaqe prej 6500 metrash katrorë. Ai u hap pas marrëveshjes së nënshkruar më 2010 me grupin grek Marinopulos, e cila kishte në plan edhe zhvillimin e një sërë rrjetesh Carrefour në Kroaci, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Bosnjë dhe Hercegovinë. Sipas Carrefour, drejtori i kompanisë në Tiranë, Thibonet kishte marrë një apartament me qira në Tiranë.
Bashkëshortja e Thibonet u largua një muaj më parë
Tiranë Një ndër shkaqet që mund të ketë çuar 42-vjeçarin francez drejt vendimit fatal për t’i dhënë fund jetës, mund të jetë depresioni. Sipas hetimeve rezulton se Xavier Thibonet prej një muaji jetonte i vetëm në Tiranë, pasi bashkëshortja e tij ishte larguar drejt Rusisë. Shtatë muaj më parë çifti ishte vendosur në Tiranë dhe pas katër muajsh ata kishin lidhur martesë. Të njohur në Bullgari, ku Xavier Thibonet kryente detyrën e drejtorit të hipermarketit “Carrefour”, ai së bashku me të dashurën e tij ruse kishin ardhur në Tiranë në verën e këtij viti. Por vetëm një muaj më parë, bashkëshortja e tij ishte larguar nga Shqipëria, për shkak të përfundimit të dokumenteve dhe lejes së qëndrimit, të cilën nuk e ka rinovuar. Të paktën ky është versioni i parë nga hetimet e deritanishme. Jeta në vetmi dhe bashkëshortja e larguar, sipas policisë, mund të jetë një nga motivet që ka shtyrë 42-vjeçarin drejt vetëvrasjes.