Kuvendi i Lezhës, reagon Protokolli i Shtetit: Topin nuk e përjashtuam ne
Protokolli i Shtetit ka reaguar sot në një deklaratë për mediat në lidhje me akuzat se ishte ai që përjashtoi presidentin nga ceremonia me rastin e 568-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. “Aktiviteti i mbajtur ne Lezhë në 2 mars me rastin e 568-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës ishte ideuar, organizuar dhe menaxhuar nga Bashkia e qytetit Lezhë. Lista e pjesëmarrësve, ftesat dhe lista e folësve janë bërë dhe menaxhuar nga organizatoret dhe nuk ka pasur të bëjë aspak me Protokollin e Shtetit”.- thuhet në deklaratën e Protokollit të Shtetit.
Sipas deklaratës për shtyp, Protokolli i Shtetit nuk ka marrë pjesë në organizimin eaktivitetve të Zhvilluara ne Lezhë me datën 2 Mars. Protokolli i Shtetit vepron mbi bazën e Ceremonialit të Republikës së Shqipërisë dhe në zbatim të tij, mbikëqyr mbarëvajtjen, nga ana protokollare, të aktiviteteve ku marrin pjesë personalitetet më të larta të shtetit shqiptar, përfaqësues të shteteve të tjera dhe trupit diplomatik.
Më tej ky institucion ka shprehur keqardhjen që është përfshirë në raste të tilla të përsëritura, referuar këtu debatit mbi mungesën e presidentit Topi në ceremoninë e hapjes së Ambasadës Kosovare me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Protokolli ka shprehur se është përfshirë në diskutime mediatike dhe politike për cështje që sipas tij janë jashtë detyrave të përcaktuara me ligj. Në deklaratën për shtyp Protokolli i Shtetit ka përfunduar duke u shprehur se edhe ne rastin e fundit, roli dhe angazhimi i tij ka qenë në përputhje të plotë me Ceremonialin zyrtar të Republikës së Shqipërisë.
Shkrime të tjera me interes:
- Mungesa e Topit në Lezhë, reagon Presidenca Tiranë- Presidenca nëpërmjet një njoftimi në faqen e saj zyrtare...
- Projekti i Kalasë së Lezhës po zbatohet, Karaiskaj: Këshilli i Arkeologjisë nuk e ka miratuar Tiranë- Dhënia e monumenteve të kulturës me qira apo koncesion,...
- Politikanët e pabesë dhe Kuvendi i Besëlidhjes Tiranë – Çtë shkruash për Shqipërinë, atje nuk ka lajm,...