Kapen 6 kg kokainë, zbulohet rrjeti shqiptar
Më shumë se 6 kilogramë kokainë me prejardhje nga Holanda janë sekuestruar dje në Itali, ndërsa padronët e mallit të kapur janë katër shqiptarë. Prokuroria e Riminit i hetonte prej një viti katër shqiptarët, të cilët akuzohet se janë shpërndarësit më të mëdhenj të kokainës në gjithë zonën e Riminit. Në shtëpinë e një prej shqiptarëve të arrestuar është gjetur dhe një pajisje speciale teknologjike për përzierjen e kokainës. Hetimi nisi pasi një shofer trajleri shqiptar, i cili thërritej “Çimi”, 44-vjeçar, ishte skeduar si transportues i kokainës nga Amsterdami në Rimini. Pas dokumentimit të këtij fakti, karabinierët e repartit të antidrogës në Rimini kanë vënë në survejim shoferin 44-vjeçar dhe kanë zbuluar se dy porositësit e drogës kanë qenë dy shqiptarë të tjerë, rezidentë në Rimini, të cilët gjatë komunikimeve telefonike janë identifikuar si një femër me emrin “Lola” dhe një shqiptar me origjinë nga Elbasani, me emrin “Beni”. Dy shqiptarët, porositës të drogës, kanë administruar gjithë shpërndarjen e kokainës në zonën e Riminit dhe prej gati tre vitesh ata dyshohen si shpërndarësit ekskluzivë dhe më të mëdhenj në këtë zonë. Pas hetimeve të prokurorëve dhe karabinierëve italianë, përveç tre të dyshuarve ka dalë dhe një emër surprizë. Nga telefonatat është kuptuar se një person i quajtur “Ardi” nga qyteti i Durrësit, në fakt ishte arkitekti dhe drejtuesi kryesor i grupit. Kontaktet në Holandë ishin ekskluzivitet dhe lidhje e personit që thërritej “Ardi” dhe prokurorët italianë në momentet e fundit kanë prerë fletë -arrestin dhe për të.