E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pranvera” kap trafikantin me 165 kg hashash

Droga ishte marrë në fshatrat e Vlorës dhe kishte si destinacion përfundimtar tregjet italiane

VLORË Policia e Vlorës, në bashkëpunim me prokurorinë dhe policinë e antidrogës, pas një pune tepër intensive të sofistikuar, e pas një përgjimi prej rreth dy javësh, është bërë i mundur finalizimi me sukses i operacionit “Pranvera”, si dhe kapja e Klodjan Llanaj, së bashku me 165 kg të lëndës kanabis sativa. Pas një ndjekjeje të mirëorganizuar, nga ana e antidrogës të Vlorës, është bërë e mundur që 25-vjeçari Llanaj të arrestohet, pasi e ka marr lëndën narkotike kanabis sativa në një nga fshatrat e Vlorës dhe pak metra më tej është ndaluar nga antidroga, në fshatin Peshkëpi, rreth 28 km larg qytetit bregdetar. Gjatë kontrollit të ushtruar në makinën e tij, është gjetur dhe sasia e drogës që ai do të transportonte. 25-vjeçari, Klodjan Llanaj, udhëtonte në fshatrat e Vlorës me një automjet të tipit BMV x5, prodhim i 2009, ngjyrë e zezë e me targa TR 4011M. Në aksin Peshkëpi - Vlorë është ndaluar nga forcat e Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me antidrogën. Pas kontrollit të bërë, në automjetin e 25-vjeçarit janë gjetur rreth 13 qeska plastike, të ngjyrës së zezë, të hedhura në bagazhin e makinës, si dhe disa të tjera në sedilen e pasme të saj, ndërkohë që në prova materiale janë sekuestruar edhe një shkop bejzbolli ngjyrë e verdhë, një kapuç bore, ngjyrë e zezë, disa dorashka plastike si dhe një armë zjarri e tipit kallashnikov, e cila kishte në të edhe dy karikatorë të ngjitur me skoç (ngjitës) me njëri tjetrin, që kishin rreth 60 fishekë të kalibrit 7.62mm. Menjëherë punonjës të antidrogës i kanë vendosur prangat 25-vjeçarit Llanaj, në cilësinë e shoferit të automjetit dhe në cilësinë e poseduesit të bimës narkotike të kapur në makinë. Klodjan Llanaj është banues i lagjes “Pavarësia” në qytetin e Vlorës dhe, sipas burimeve të policisë, i padënuar më parë. Pas peshimit të lëndës narkotike cannabis sativa, ka rezultuar se janë plot rreth 165 kg të tilla, të cilat kishin si destinacion transportimin e shitjen jashtë qytetit të Vlorës, në drejtim të Italisë. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›