Policët, gjobë qytetarit:Je hajdut, të arrestojmë
TIRANE – Dy agjentë police të akuzuar se merrnin “ryshfet” nga persona që sipas tyre, ishin hajdutë të linjave urbane në kryeqytet, do të përballen në gjykatë me akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Prokuroria e Tiranës ka depozituar pak ditë më parë në gjykatë dosjen me të pandehur ish-punonjësit e policisë, Besnik Preni dhe Prengë Frroku. Sipas kërkesës për gjykim, procedimi penal ndaj tyre është regjistruar mbi bazën e një referimi të Drejtorisë së Kontrollit të Brendshëm të Tiranës. Bëhet e ditur se në ditët e para të marsit të këtij viti, shtetasi Dh.K. është paraqitur pranë drejtorisë së SHKB-së, ku ka kallëzuar se Besnik Preni dhe Prengë Frroku i kishin marrë një sasi parash, pasi e kishin shoqëruar në automjetin e tyre. “Pasi e kanë pyetur se çfarë kishte bërë, i kanë thënë që do ta shoqëronin në Komisariatin e Policisë Nr.3, pasi dyshohej që vidhte nëpër autobusë. E kanë kontrolluar dhe kanë konstatuar se Dh.K. kishte një sasi prej 20 mijë lekësh dhe një telefon celular. Pasi e kanë futur makinën e tyre në një tunel mes pallatesh pas Prokurorisë, e kanë pyetur DH. ‘të të çojmë në polici, apo t’i mbajmë ne këto sendet dhe ti të ikësh. Dh. ka rënë dakord dhe më pas njëri prej tyre ka marrë një copë letër tek një person që shiste cigare, i ka shkruar një numër telefoni dhe i ka thënë “qenke burrë i mirë, për çdo gjë do të lidhemi bashkë, pasi e mbulojmë ne këtë zonë”, thuhet në kërkesën për gjykim të Prokurorisë. Po sipas akuzës, në vijim dy të pandehurit e kanë takuar edhe disa herë kallëzuesin Dh.K., ku edhe i kanë marrë disa shuma parash. Pas marrëveshjes së kallëzuesit me shërbimet e Policisë Gjyqësore, disa prej këtyre takimeve janë vëzhguar, ndërsa bisedat e tyre janë përgjuar. Sipas kërkesës për gjykim në datën 6 prill 2010, Dh.K u ka dhënë policëve shumën e 15 mijë lekëve, numri i serisë të të cilëve ishte regjistruar më parë nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore. “Të pandehurit Besnik Preni dhe Prengë Frroku duke kërkuar dhe marrë përfitime të rregullta nga shtetasi Dh.K., për moskryerjen e veprimeve që janë detyrë tërësisht funksionale e tyre, kanë konsumuar elementëtë të veprës penale të ‘korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’”, citohet në kërkesën për gjykim. ar.ba