E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen 9 shpërndarës heroine

Antidroga e policisë së Tiranës shkatërroi dje një rrjet të shpërndarësve të heroinës. 

Dashamir Biçaku

 Nëntë persona u arrestuan, ndërsa policia sekuestroi vetëm 30 gramë heroinë dhe një makinë që përdorej për lëvizjen e narkotikut në zonat ku shpërndahej në Tiranë si dhe 70 mijë lekë, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e drogës. Sipas hetimeve, shpërndarja kryhej në zona të ndryshme të Tiranës, por edhe mbi pllaka varresh, në Tufinë, ku blerësi merrte mallin dhe linte në një qoshe të varrit pagesën për sasinë e blerë. Aksioni i antidrogës, i koduar me emrin "Bardh e Zi", ka nisur në orët e para të mëngjesit në disa zona të Tiranës, ndërkohë që më parë, Prokuroria kishte marrë në dorë vendimet e arrestit për nëntë personat e dyshuar. Pas veprimeve të agjentëve që kanë zgjatur më tepër se katër orë, në qelitë e policisë së Tiranës përfunduan 9 persona. Mes tyre janë arrestuar dy femra, motra me njëra-tjetrën si dhe shtatë persona të tjerë. Për t'i shpëtuar zbulimit nga policia, ato detyroheshin t'i fshihnin dozat që shpërndaheshin në vende intime në trupin e tyre derisa i dorëzonin tek blerësit. Mes të arrestuarve ndodhet edhe Krenar Dajti, i dyshuar si organizator dhe drejtues i rrjetit të shpërndarësve të heroinës. Të prangosurit e tjerë janë Bledar Kovaçi, i njohur me pseudonimin "Bjondi", Zamir Gjuzi, 24 vjeç, i njohur me pseudonimin "Zamir Qorri", Agron Koci, 33 vjeç, i njohur me pseudonimin "Gjon Rrapi", Elidon Xhiku, 22 vjeç, Geris Lala, 24 vjeç, Sokol Mhilli, 42 vjeç. Dy motrat e arrestuara nga policia janë, Zizja e Alma Mehmeti, përkatësisht 20 dhe 25 vjeçe. Të gjithë të arrestuarit, banues në Tiranë, dyshohet se janë anëtarë të një rrjeti të shpërndarjes së heroinës në kryeqytet. Prej ë tepër se tre muajsh, të dyshuarit kanë qenë në hetim nga zyra e antidrogës, pasi ishin identifikuar si shpërndarës të heroinës në të gjithë Tiranën. Të arrestuarit janë ndaluar nga policia në banesat e tyre, kryesisht në rrugën "Niko Avrami", në afërsi të shkollës 9-vjeçare "Bajram Curri", në momentet kur po shpërndanin heroinë. Gjatë arrestimit policia iu bllokoi atyre 6 aparate të ndryshme celularë, 30 gramë pluhur të bardhë të dyshuar si heroinë, si dhe një automjet të markës "Volkswagen" Polo. Policia tha se me këtë mjet, personat e arrestuar kryenin shpërndarjen e drogës tek blerësit e ndryshëm në kryeqytet. Në një pjesë të mirë të rasteve, shfrytëzoheshin dy motrat, për të shpërndarë heroinë, duke ua dërguar klientëve të tyre. Dy motrat, sipas pohimeve të specialistëve të hetimit, ishin të dashurat e dy prej anëtarëve të grupit. Pas bllokimit të provave, policia ka dërguar pluhurin e bardhë për kryerjen e ekspertimit kimik në laborator, për të përcaktuar saktësisht përbërjen e pluhurit. Të arrestuarve, fillimisht u janë pohuar vendimet e arrestit të gjykatës, ndërsa ata nuk kanë pranuar të japin sqarime pa praninë e avokatëve.

Policia: Ja zonat ku shpërndahej droga
TIRANE - Hetimi dhe monitorimi disamujor i personave të arrestuar nga antidroga gjatë ditës së djeshme, kanë zbuluar shtrirjen e aktivitetit e tyre kriminal thuajse, në të gjithë kryeqytetin. Në zona të ndryshme të Tiranës, nëpërmjet lidhjeve të tyre, të akuzuarit kanë mundur të ngrenë bazat e shpërndarjes së heroinës. Kështu sipas hetimet të kryer deri më tani, blutë kanë zbuluar se të arrestuarit kryenin shpërndarje dhe furnizim të rregullt me heroinë në zonën e rrugës "Bajram Curri", pranë Xhamllikut, e Varrit të Bamit, në të gjithë zonën e Alliasit, rrugët "Hoxha Tasim" e "Bardhyl" dhe në një perimetër të konsiderueshëm të zonës së Kinostudios. Madje, aktiviteti i shpërndarjes së heroinës, kryhej edhe në varrezat e Tufinës, ku persona të ndryshëm linin paratë dhe merrnin mallin mbi pllaka të ndryshme varresh. Të gjitha këto veprime, janë mbajtur nën vëzhgim nga agjentët e policisë, të cilët kanë ndjekur në mënyrë të vazhdueshme shpërndarësit nga baza e furnizimit në pikën e shitjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›