E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, policia në alarm për vjedhjet nga të miturit

TIRANE - Policia e Tiranës është vënë në alarm, për shkak të rritjes së vjedhjes së banesave me autorësinë e të miturve. 

Vetëm gjatë dy ditëve të fundit në kryeqytet dhe në Kavajë janë referuar në Prokurori, procedimet penale për 10 persona, katër prej të cilëve janë të mitur nën moshën 13 vjeç. Gjashtë personat e tjerë janë arrestuar nga seksioni i vjedhjeve dhe policia e Kavajës, me akuzën e vjedhjes dhe vjedhjes në bashkëpunim. M.C., 11 vjeç, i është zbuluar vjedhja e tij e radhës e kryer në një automjet në rrugën "Sulejman Delvina", ku ka mundur të marrë një kompjuter të lëvizshëm, pak ditë më parë. Ndërkaq, B.B., J.A., Xh.Q., të tre respektivisht nga 13 vjeç, janë zbuluar nga policia si autorë të së paku pesë vjedhjeve të kryera prej tyre në zona të ndryshme të kryeqytetit. Mes objekteve të vjedhura, është një zyrë avokatie, KESH, tre kioska ambulante gazetash, etj. Nga vjedhjet e zbuluara në Tiranë, policia ka arrestuar tre persona, Tonet Saraçin, 26 vjeç nga Berati, të cilit i janë dokumentuar tri vjedhje të realizuara. Dy nga objektet e vjedhura janë zyra avokatie si dhe një parukeri, ku janë marrë sende të ndryshme kryesisht kompjuterë dhe vlera monetare të vogla. Dy persona nga Korça, janë arrestuar nga policia në flagrancë duke vjedhur materiale ndërtimi. Tre të arrestuarit i fundit, janë nga Xhafzoataj dhe Shijaku i Durrësit. Ermir, Karici, 19 vjeç R.K., 17 vjeç dhe B.M., 16 vjeç, akuzohen se kanë vjedhur me thyerje në plazhin e Golemit një minimarket. Ata janë kapur në flagrancë nga policia e Kavajës, ndërsa kishin thyer marketin dhe po merrnin që andej mallra të ndryshëm. Sipas policisë dyshohet se këta tre persona janë autorë edhe të vjedhjeve të tjera, të cilat po hetohen prej bluve të këtij komisariati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›