E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karaxhiç imiton Millosheviçin, do të vetëmbrohet në Hagë

Radovan Karaxhiç ka vendosur të vetëmbrohet në Gjykatën e Hagës. Njoftimin e dha avokati i tij aktual, i cili tha se ish-lideri i serbëve të Bosnjës do të mbrohet vetë në Hagë. 

Svetozar Vujaçiç tha se Karaxhiçi do të ketë një ekip avokatësh që do ta ndihmojnë, por ai do ta paraqesë vetë mbrojtjen finale. Në këtë drejtim Karaxhiç ka imituar ish-liderin e tij, Sllobodan Millosheviç, i cili gjithashtu preferoi ta realizonte vetë mbrojtjen para trupit gjykues. Karaxhiç po pret ekstradimin në Hagë, pas arrestimit në Beograd. Ai akuzohet për gjenocid në rrethimin e Sarajevës dhe ma-sakrën e Srebrenicës, të vlerësuar si më e madhja në Evropë që nga Holokausti nazist. Sipas avokatit, Karaxhiç ka kërkuar që t'i priten flokët dhe t'i hiqet mje-kra, që i kishte përdorur për maskimin e identitetit gjatë viteve që kishte ushtruar mjekësinë alternative në Serbi.
Ekstradimi
Nuk ka ende të dhëna të sakta se, kur do të ndodhë ekstradimi i Karaxhiç për në Hagë, por duket se parashikimi për fundin e kësaj jave nuk do të jetë i saktë. Karaxhiç ka vendosur ta apelojë vendimin për t'u dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare. Kjo duket vetëm si një taktikë për të fituar kohë për mbrojtjen, pasi Haga ka deklaruar se gjykimi i tij do të jetë shumë i shpejtë, ndryshe nga sa janë karakterizuar deri më sot gjyqet e Hagës.
Loja e shërbimeve sekrete
Shërbimet sekrete britanike dhe amerikane kanë luajtur një rol të rëndësishëm në kapjen e Radovan Karaxhiç. Zyrtarët në Beograd thanë se, shërbimet sekrete serbe kishin marrë disa lloje të dhënash nga shërbimet e huaja, pak javë para se Karaxhiç të arrestohej. Shërbimet sekrete serbe ishin të përfshira në mbrojtjen e Karaxhiç, të nxitur nga strukturat radikale, pasi edhe pse merrnin disa të dhëna se ku mund të ndodheshin të shumëkërkuarit, ata nuk i arrestonin. Gjithçka ndryshoi, në rastin e Karaxhiç, kur Presidenti Boris Tadiç vendosi një njeriun e tij në krye të kësaj ndjekjeje të shërbimeve sekrete. Sipas ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daciç, shërbimet sekrete serbe e kanë mbrojtur të kërkuarin për krime lufte Karaxhiç për 12 vjet dhe e kanë lënë të arrestohej, atëherë kur vendosën se nuk duhej ta mbronin më.
BE pa vendim
Bashkimi Evropian informoi dje se nuk ka marrë asnjë vendim mbi shkrirjen e avantazheve tregtare për Serbinë, të cilat u bllokuan që në kohën e qeverisë Koshtunica, për shkak të mosbashkëpunimit me Hagën, edhe tani që më në fund u shënua një hap i suksesshëm me arrestimin e Karaxhiç, BE njoftoi se Serbia duhet të presë deri në momentin që një prokuror i Gjykatës së OKB-së në Hagë të deklarojë se, bashkëpunimi është përmbushur. Dje komisioneri i zgjerimit Olli Rehn i bëri thirrje liderëve të BE-së që të përmirësojnë marrëdhëniet tregtare me Serbinë. BE kërkon edhe arrestimin e gjeneralit Ratko Mlladiç. 27 vendet e BE-së ranë dakord të presin deri në një raport nga prokurori i Përgjithshëm i Hagës, Serge Brammertz për të përmirësuar raportet.
Reagimi i UNMIK
Deklaratave të disa mediave se Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç nën petkun e mjekut Dragan Dabiç, kanë qëndruar në veriun e Kosovës edhe gjatë kohës që ishin në kërkim, UNMIK dhe policia e Kosovës i kanë mohuar. Në një konferencë ata thanë se policia e UNMIK-ut dhe ajo e Kosovës po funksionon në veri dhe se, nuk ka informacione të tilla. Zëdhënësi UNMIK-ut, Rasel Giki tha se UNMIK-u mohon të ketë informacione se i shumë kërkuari për krime lufte në Bosnje Radovan Karaxhiç, me emrin e rremë Dragan Dabiç dhe bashkëpunëtori i tij gjithashtu, i kërkuar nga Gjykata e Hagës, Ratko Mlladiç të kenë qëndruar në Kosovë. Por pyetjes nëse përfaqësuesit e UNMIK, KFOR-it dhe policisë së Kosovës mund të garantojnë se Karaxhiç dhe Mlladiç nuk kanë hyrë kurrë në Kosovë, zëdhënësi i UNMIK-ut iu përgjigj me "jo".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›