Kapen dy adoleshentët, përdhunuan të miturën
ELBASAN - Ndalohen dy adoleshentët që përdhunuan dy ditë më parë një vajzë të mitur në fshatin e tyre. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se janë ndaluar shtetasit Sh.R. 16 vjeç dhe M. R. 17 vjeç, të dy banues në fshatin Turbull të komunës Kajan. Ata dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën D. R. 15 vjeç, me banim në këtë fshat. Akti i dhunshëm ndodhi në fshatin fqinj Gjolenë. Dy të rinjtë i kanë kërkuar të miturës që të kryejnë marrëdhënie seksuale, por ajo e ka refuzuar kërkesën e tyre. Sipas deklarimeve të kryera në polici, e mitura ka treguar se pasi nuk arritën ta bindnin, djemtë kanë kryer marrëdhënie pa dëshirën e saj. Menjëherë pas ngjarjes, e dhunuara, nën shoqërinë e prindërve ka bërë denoncimin në komisariatin e policisë. Ndaj dy të rinjve, të cilët janë kushërinj kanë nisur hetimet. Ata janë shpallur në kërkim pas denoncimit të bërë dhe vetëm pas 24 orësh është bërë i mundur ndalimi i tyre. Gjatë marrjes në pyetje, të rinjtë kanë deklaruar se nuk e kanë përdhunuar vajzën dhe se kanë kryer marrëdhënie seksuale me dëshirën e saj. Tashmë ngjarja pritet të zbardhet nga Prokuroria e rrethit.
Tenton vetëvrasjen për herë të tretë 43-vjeçarja
DURRËS – Një grua 43-vjeçare u përpoq t’i japë fund jetës në mënyrë të dhimbshme, duke u vetë-therur me një thikë. Ajo ndodhet nën kujdesin e mjekëve, aktualisht, jashtë rrezikut për jetën. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se se B.Gj., është 43-vjeçarja, rreth orës 07.15 të ditës së hënë ka tentuar ti japë fund jetës, teksa ndodhej e vetme në banesë, duke përdorur një thikë. Paraprakisht mendohet se shkak për ngjarjen është depresioni pasi kjo shtetase ka tentuar edhe dy herë të tjera vetëvrasjen. Burimet hetimore, tregojnë se gruaja që vuan nga depresioni e kishte kryer përpjekjen e parë për vetëflijim, më 29 mars të vitit të kaluar, duke përdorur fostoksinë. Të njëjtën përpjekje ka bërë edhe më 31 dhjetor të vitit të kaluar, pak orë para ndërrimit të viteve, natën e Vitit të Ri, sërish duke pirë lëndë helmuese. Në të dy rastet, policia kishte filluar procedimin penal që më pas e kishte pushuar. Në lidhje me përpjekjen e fundit për ti dhënë fund jetës, policia tha se në cilësinë e provës materiale është gjetur dhe sekuestruar thika me të cilën ka tentuar vetëvrasjen. Të dëmtuarës iu dha ndihma e parë mjekësore në Spitalin e Durrësit ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Asgjësohen mijëra rrënjë Cannabis, nuk prangosen kultivuesit
SHKODËR – Policia e Shkodrës sërish raporton për mijëra rrënjë Cannabis Sattiva të asgjësuara, por nuk ka ndaluar asnjë pronar apo kultivues të bimës së ndaluar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se gjatë operacioneve të organizuara gjatë tre ditëve të fundit u bë i mundur konstatimi 3.480 rrënjëve bimë me karakteristikat e Cannabis Sattiva, të cilat më pas janë asgjësuar. Sipas tyre, aksionet anti-Hashash u organizuan në fshatrat Bogë, të komunës së Shkrelit, ku u bë i mundur zbulimi i 3 parcelave, të mbjella në tokë të shpyllëzuar, nga ku rezultoi të ishin mbjellë 2.220 rrënjë Cannabis Sattiva; në fshatin Vilëz, të komunës Postribe, ku u zbuluan 2 parcela të mbjella me 281 rrënjë bimë narkotike; në fshatin Malagji të komunës Temal, ku u asgjësuan 695 rrënjë Cannabis Sattiva. Burimet policore shprehen se janë asgjësuar edhe 284 rrënjë bimë narkotike edhe në fshatin Vukaj të komunës së Shllakut. Ndonëse janë gjetur dhe asgjësuar sasi të konsiderueshme bimës narkotike, burimet zyrtare nuk raportojnë për persona të ndaluar apo të arrestuar. Gjatë gjithë kësaj vere janë organizuar me dhjetëra operacione anti-Cannabis, por numri i personave të vënë para ligjit është shumë i vogël; në shumicën e rasteve të ndaluarit kanë qenë gra apo të moshuar.
Asgjësohen 340 rrënjë Cannabis në Tropojë
TROPJË – Këtë vit është regjistruar në hartën e zonave të kultivimit të hashashit edhe rrethi i Tropojës, ku vetëm gjatë ditës së djeshme janë asgjësuar 340 rrënjë Cannabis. Operacioni u organizua në fshatin Curraj i Epërm të rrethit verior. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Kukësit raportojnë se nuk ka asnjë person të ndaluar, pasi sipas zëdhënëses, “toka ku ishte mbjellë bima e ndaluar është pa pronar. Burimet policore shprehen se gjatë kësaj periudhe janë zbuluar dhe asgjësuar 7 800 rrënjë Cannabis, për të cilat nuk ka asnjë person të vënë para ligjit.
3 Shtator 2008