Kapet në Durrës pogradecari i kërkuar nga policia e Kukësit
Dje në orët mbrëmjes ka rënë në prangat e policisë i kërkuari për trafikim të qenieve njerëzore, 30-vjeçari Artur Meskolli nga Pogradeci. Ndalimi i tij është bërë në qytetin e Durrësit, pasi disa ditë më herët ai, së bashku me dy shokë të tij, të konsideruar si bashkëpunëtorë në krim, ishin shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Kukësit. Akuza ndaj tyre ishte keqtrajtim dhe shfrytëzim të personit për qëllime prostitucioni, mbi bazën e kallëzimit që kishte bërë në polici një nga viktimat e këtij grupi. Pas informacioneve në rrugë operative, policia e Tropojës kishte zbuluar vendndodhjen dhe itinerarin e lëvizjes së të kërkuarit. Një vajzë nga Tirana, me inicialet J.H., 20 vjeçe, kishte denoncuar disa ditë më parë në policinë e Tropojës tre persona, që sipas saj e kanë keqtrajtuar dhe shfrytëzuar për qëllime prostitucioni në Pejë të Kosovës. "Më premtuan punë të ndershme dhe udhëtuam në Pejë, ku të tre personat pasi më rrahën dhe më dhunuan seksualisht për disa ditë, më detyruan të bëja prostitutën", mësohet të ketë treguar vajza në polici. Burimet e policisë kanë konfirmuar se kalimi nga Shqipëria në Kosovë ishte bërë më datë 3 maj 2008 ilegalisht, nëpërmjet kufirit të gjelbër, për të përfunduar pikërisht në qytetin e Pejës, ku shtetasit e akuzuar kishin një banesë me qira. Policia po punon për kapjen e dy të akuzuarve të tjerë për të cilët po bashkëpunon edhe me policinë e Kosovës. Trafiku i femrave nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas ka njohur ulje për sa u përket shifrave, por gjithsesi, në programin e policisë për luftën kundër krimit të organizuar mbetet si një nga prioritetet kryesore.