Kapen dy vrasësit e shqiptarit

Mëngjesin e sotëm, karabinierët në Itali kanë arrestuar dy persona të cilët dyshohen se janë vrasësit e një shqiptari. Të arrestuarit janë dy sllavë, Elvis Asanovski dhe Sedat Bejzak, përkatësisht 34 dhe 36 vjeç, banues në Firence. Asanovski dhe Bejzak akuzohen se natën e 12 dhe 13 dhjetorit 2012, jashtë bar “Mix”, kanë rrahur deri në vdekje Shahin Tushën, 21 vjeç, shkruan shekulli.
Pas hetimeve, ku janë analizuar videot e sistemeve të sigurisë dhe pas rindërtimit ë lëvizjeve të të dyshuarve dhe mbledhjes së dëshmive të të pranishmëve, është arritur në përfundimin se 34 dhe 36-vjeçari janë vrasësit e shqiptarit. Dy të arrestuarit, kombësia e të cilëve nuk bëhet e ditur, do të akuzohen për vrasje nga pakujdesia dhe trazira.
Jashtë bar “Mix” mbrëmjen e ngjarjes ka ndodhur një përleshje masive, ku janë përfshirë më shumë se 10 persona. Gjatë sherrit janë përdorur shkopinj dhe shishe qelqi. Pas ngjarjes u arrestuan katër persona, ku i dyshuarit kryesore ishte Sait Kasim, 28 vjeç nga Maqedonia, i cili ende mbahet në paraburgim./Indeksonline/