Kapen hajdutët e çantave të grave në rrugë
TIRANE - Katër persona janë ndaluar nga forcat e policisë së Tiranës, pasi dyshohet të jenë autorë në bashkëpunim të vjedhjes së çantave të disa grave në rrugët e kryeqytetit. Burime nga policia thanë se efektivat e Komisariatit nr.1, kanë arrestuar Franc çuedarin, 19 vjeç, i dënuar edhe më parë për vjedhje me 6 muaj burg, Bledi Lartin, 19 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje me 10 muaj burg dhe 17-vjeçarin R.H., i dënuar më parë për vjedhje. Personi i katërt i ndaluar nga policia, 24-vjeçari A.D. do të procedohet penalisht në gjendje të lirë. Burime nga policia e Tiranës thanë se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar vjedhjen e çantës së dorës së një gruaje në rrugën “Ali Visha”, ngjarje e ndodhur më 13 janar 2010. Po kështu, më 7 janar në rrugën “Budi”, i kanë vjedhur çantën e dorës një gruaje tjetër duke i marrë një shumë prej 40 mijë lekësh të vjetër dhe disa sende personale. Gjithashtu ata akuzohen edhe për një ngjarje tjetër të tillë, që ka ndodhur më 25 nëntor të vitit 2009, në rrugën “Ali Demi”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua motori, me të cilin kryenin vjedhjet.