“Vdekja në garazh, jo nga tymi”
Etleva Delia“Një person i pa identifikuar e ka futur makinën e Luan Veizit në garazhin, ku më pas tregtari u gjet i vdekur në automjet bashkë me një grua”. Fatmir Luarasi, daja i tregtarit Luan Veizi, i cili u gjet i vdekur katër ditë më parë në garazhin e pallatit ku banonte tek ish-uzina Dinamo, është i bindur se nipi i tij nuk ka vdekur nga gazi i tymit të makinës. Fatmir Luarasi pohon se nipi i tij që u gjet i vdekur, nuk ka pasur asnjë njohje personale me femrën që u gjet e vdekur gjithashtu. Për dajën e tregtarit të vdekur, ngjarja ka disa momente të errëta, për të cilat familja beson se do të zbardhen nga policia. “Makina nuk ka qenë e ndezur gjatë natës, në mëngjes ajo kishte karburant mjaftueshëm. Sapo janë gjetur të vdekurit në makinë, dikush hipi në automjet dhe i çoi me makinën në fjalë, në spital, ajo kishte karburant mjaftueshëm”, thotë Luarasi. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, daja i tregtarit tregoi detaje të panjohura për ngjarjen. Ju keni dyshime për këtë ngjarje, thoni se disa gjëra nuk janë thënë ashtu siç duhet, çfarë ka ndodhur, sipas jush?Të hënën, mbrëmjen para se të gjendej i vdekur, Luani ka dalë në orën 19:00 nga shtëpia dhe ka shkuar për një vizitë tek e motra. Atje ka qëndruar disa orë dhe është kthyer sërish në shtëpi rreth orës 22:00 për të marrë paketën e cigareve dhe ka dalë prapë. Ai ka ardhur në shtëpi në këmbë, nga restorant Durrësi, madje ka dëshmitarë për këtë pasi rrugës ka ecur me një fqinjin e tij. Pra Luani nuk erdhi atë natë në shtëpi me makinën e tij? Si e shpjegoni këtë, roja i pallatit ka thënë se atë mbrëmje ka parë Veizin që po hynte tek garazhi?Roja na tha se makinën e Luanit e kishte futur dikush tjetër në garazh. E pyetëm rojën për këtë person, na tha se ishte një i ri, me rroba të kohës, me një shall por që nuk kishte arritur ta fiksonte në fytyrë. Luani në atë kohë ka qenë duke ecur nga pallati në drejtim të garazhit me një komshi të vetin dhe roja i ka thënë që dikush e kishte parkuar makinën e tij në garazh. Më pas, sipas rojes, ai ka shkuar në drejtim të garazhit për të parë makinën. çfarë ndodhi më pas?Luani është afruar të garazhi. Ka hyrë aty dhe ka dalë prapë duke thënë “paska vdekur”. E ka pyetur roja kush ka vdekur dhe ai ka ndryshuar temë duke përmendur një emër personi të njohur që nuk ekziston më. Ju thoni se dikush e përdori telefonin e Luanit atë ditë për të marrë gruan e tij në mëngjes, sipas jush ai e merrte çdo mëngjes të shoqen për të zgjuar nga gjumi...Vajza e Luanit thotë që rreth orës 06:10, nënës së saj i ka bërë zile dikush nga telefonin i të shoqit, sepse ka qenë numri i tij. Por duke menduar se ai mund të ishte duke i bërë zile për t’u zgjuar që të hapte dyqanin, nuk është përgjigjur në telefon, sepse mendonte se ai ndodhej në shtëpi, nuk e dinte që nuk ishte kthyer. Më pas përgjegjësi i rojeve të uzinës “Dinamo”, ka telefonuar gruan e Luanit rreth orës 07:00, duke iu thënë që Luani është futur në garazh në mbrëmje dhe nuk ka dalë ende. Aty kanë shkuar gruaja dhe vajza e Luanit për të hapur garazhin, qepeni i të cilit ka qenë i ngritur rreth 5 centimetra, por nga aty nuk dilte tym dhe makina është gjetur e fikur. Vajza ka shkuar për të parë dhe thotë që ka gjetur të atin gjysmë të përkulur në sediljen e pasme dhe një grua që nuk e njihte të mbështetur dhe me duar të mbledhura, të dy ishin të veshur. Makina ka qenë e fikur, nuk besojmë se kanë vdekur nga gazi.Pra ju mendoni se ata mund të kenë vdekur nga ndonjë shkak tjetër?Duke qenë se neve na u tha se ata kanë vdekur që në orën 02:00, ndërsa telefoni i Luanit është përdorur për të telefonuar të shoqen në orën 06:10, atëherë dikush e ka përdoruar telefonin e tij, sepse ai rrjedhimisht nuk ishte gjallë në atë orë. Vajza e ka gjetur telefonin e tij të vendosur tek mbajtësja që ai kishte tek rripi i pantallonave. Ne mendojmë se Luani është përdorur si “karrem” nga dikush tjetër, sepse nëse ai do të kishte një lidhje me atë grua, dikush nga familja do e kishte marrë vesh atë lidhje. Por ne nuk dimë se ai mund ta ketë njohur atë. Luani përdorte alkool apo ndonjë substancë tjetër?Po, Luani pinte alkool, kishte qejf të pinte, por drogë nuk ka përdorur kurrë nuk ka abuzuar asnjëherë, thjesht bënte jetën e tij. Atë natë ai kishte pirë, sepse siç iu thanë kishte qenë për vizitë tek e motra, por mund të ketë pirë edhe në lokal. Në makinë keni gjetur ndonjë objekt tjetër të dyshimte?Jo në makinë nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. As ndonjë shishe alkooli dhe as ndonjë gjë që mund të dyshonim për diçka.A kishin shenja dhune në trup, Luani apo gruaja që ndodhej e vdekur në makinë?Për Luanin, të cilin e kam parë, them me bindje se nuk kishte shenja dhune në trup, jemi interesuar tek Mjekësia Ligjore dhe na kanë thënë se po presin analizat. Policia: Veizi dhe Sinjari vdiqën nga gazrat e makinësTIRANE - Në rastin e vdekjes së Luan Veizit dhe Doriela Sinjarit, hetimet e policisë dhe raporti paraprak i Mjekësisë Ligjore flasin për vdekje si pasojë e asfiksisë shkaktuar nga gazi karbonik në gjak. Burime nga policia të pyetura dje në lidhje me pretendimet e familjarëve të Luan Veizit, thanë se nga verifikimet e deritanishme, rezulton se vdekja e tregtarit dhe gruas 38-vjeçare ka ardhur nga gazrat helmuese që ka çliruar makina dhe mungesa e oksigjenit, i cili është djegur nga këto gazra. Në të njëjtën kohë burime nga grupi hetimor thanë se Veizi kishte konsumuar alkool para se të hipte në makinë, madje në sasi të madhe, por vdekja nuk është shkaktuar nga alkooli. E njëjta gjë konfirmohet edhe nga burime të Mjekësisë Ligjore. Ekspertët mjeko-ligjore shpjeguan se nga analizat paraprake, vdekja e dy personave ka ardhur nga monoksidi i karbonit, që është çliruar nga motori i makinës tip “Audi”. Nga analizat që janë kryer deri tani, si në gjakun e 58-vjeçarit Veizi, ashtu edhe në gjakun e Doriela Sinjarit, është gjetur një sasi mjaft e madhe monoksidi karboni, në masën 78 për qind, për secilin. Mjekët ligjor janë shprehur se kjo sasi është mjaft e madhe, madje do të mjaftonte edhe 20 për qind më pak se kjo sasi dhe do të kishte sjellë vdekjen e menjëhershme.