Kapet i kërkuari për falsifikim dokumentesh
TIRANE- Një 56-vjeçar i kërkuar që prej vitit 2008, me akuzën e “falsifikimit të akteve të gjendjes civile” dhe “prodhimit të mjeteve për falsifikim”, është arrestuar dy ditë më parë nga sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit. Burime nga policia sqaruan se Fatmir Sorra është arrestuar sepse është dënuar në mungesë, me një vit e 4 muaj burg. Ai u arrestua në vitin 2007, nga oficerët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik, në kuadër të operacionit “Luminatori”, bashkë me 2 persona të tjerë. Në atë kohë ai u procedua penalisht në gjendje të lirë, por gjykata e dënoi me burg dhe ai u shpall në kërkim. Sipas policisë, Sorra dhe dy persona të tjerë, më shumë se 3 vite më parë kishin blerë një apartament me dy dhoma në afërsi të ambasadës greke, te rruga e “Kavajës” dhe aty kishin ngritur një laborator të mirëfilltë për falsifikimin e dokumenteve. Ky laborator është zbuluar pas hetimeve që kanë zgjatur më shumë se dy muaj dhe janë zhvilluar nga agjentët e Antikrimit Ekonomik të policisë së kryeqytetit. Banesa ku ishte vendosur laboratori i falsifikimeve i përkiste të dyshuarit Fatmir Sorra në rrugën “Gjon Muzaka” në kryeqytet.