Kapen inspektorët e rremë, vidhnin gjobat e tatimeve
ELBASAN Hiqeshin si inspektorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në Tiranë, arrestohen mashtruesit. Seksioni kundër krimit ekonomik e financiar pranë drejtorisë policisë qarkut Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, bënë të mundur dje ndalimin e Ilir Muzhaqit, 43 vjeç, me banim në Tiranë, administrator i firmës “SIG SHIP”SH.P.K. dhe Dede Raja, 38 vjeç, me banim në Tiranë, përfaqësues i firmës “SIG SHIP” SH.P.K., pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet mashtrimit, i kanë marrë shuma parash që varionin nga 7.000 deri në 12.000 lekë të reja shtetasve të ndryshëm në zonën e Dumresë.
Denoncimi
Rasti më i fundit i mashtrimit kanë qenë shtetasit M.P. 54 vjeç, banues në fshatin Kosovë, komuna Fierezë, Elbasan, me profesion tregtar; dhe E.P, 29 vjeç, banues në të njëjtin fshat. Por hetimet paraprake kanë rezultuar se këtë aktivitet “inspektorët kishin kohë që e ushtronin në mjaft qytete e fshatra të Shqipërisë, duke përfituar shuma të mëdha financiare. Sipas të dhënave të para hetimore, rezulton se mashtruesit paraqiteshin si inspektorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në Tiranë e për këtë qëllim, për të qenë sa më të besueshëm, udhëtonin me një automjet tip Fuoristradë Grand Walle ngjyrë vishnje, të pajisur me një sistem alarmi. Gjithashtu, ata ishin të pajisur me veshje dhe blloqe gjobash si ato të tatimeve dhe paraqiteshin te tregtarë, individë e biznese të ndryshme dhe për “mangësitë” që konstatonin vendosnin gjoba që varionin nga 70-12000 lekë të reja, sipas neneve të parashikuara në ligj. Pasi u prisnin faturën tregtarëve të parregullt, ata kërkonin që t’i likuidonin KESH, përndryshe sanksionet ishin më të mëdha deri në sekuestrim dhe bllokim të aktivitetit.
“Gjoba”
Ndodhur përballë këtij presioni, tregtarët preferonin të paguanin më mirë paratë KESH dhe të vazhdonin aktivitetin si më parë. Kontrollet e “tatimorëve” vazhdonin për gjatë gjithë ditës e merret me mend se numri i tregtarëve ka qenë i madh dhe përfitimet gjithashtu. Dy të ndaluarit kanë mashtruar edhe subjekte të tjera tregtare, të cilat kryenin aktivitet në Bashkinë Belësh dhe në komunat rreth saj, duke e përsëritur këtë rast disa herë, duke u paraqitur si inspektorë të Drejtorisë së Përgjithshme Tatimore Tiranë.
Por burime hetimore pohuan se aktiviteti i “inspektorëve” shtrihet në disa rrethe të vendit, ndaj do të ketë një hetim të plotë. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa mandate arkëtimi të pa miratuara nga ana e organit tatimor si dhe një automjet Fuoristradë tip Grand Walle me targa AA 804 AI, në përdorim të shtetasit Ilir Muzhaqi. Ndaj autorëve është ngritur menjëherë akuza e mashtrimit dhe pritet që në dëm të tyre të denoncojnë edhe tregtarë të tjerë. F.S.