Bashkia e Tiranës nis mbledhjen e ndihmave për banorët e Shkodrës
Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, akuzon qeverinë si fajtoren kryesore të kësaj katastrofe
Eljona Lata
Bashkia e Tiranës ka nisur një fushatë sensibilizimi për mbledhjen e ndihmave për banorët e zonave të përmbytura. Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, në një prononcim për mediat u shpreh se fajtore për këtë katastrofë është vetë qeveria. Kutitë në të cilat do të mblidhen ndihmat ishin vendosur para Bashkisë. Të gjithë qytetarët që duan të kontribuojnë për t’iu ardhur në ndihmë personave në nevojë për shkak të përmbytjeve, kanë mundësi të ofrojnë ndihmat e tyre në kutitë që janë vendosur para Bashkisë që prej orës prej 08:00 deri në orën 16:00 të pasdites. Në ndihmë të personave në nevojë kanë ardhur edhe këshilltarët socialistë të PS-së në Bashki që do të kontribuojnë me një pagë mujore.
Ndihmat
Për shkak të situatës së krijuar prej disa ditësh në veriperëndim të vendit, ku shumë familje patën humbje të shumta ekonomike nga përmbytjet, në ndihmë të familjeve në nevojë është vënë dhe Bashkia e Tiranës. Ditën e djeshme, kreu i Bashkisë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të kontribuojnë me çfarëdolloj ndihme për t’iu ardhur në ndihmë këtyre banorëve. “Së bashku me të zgjedhurit në Këshillin Bashkiak dhe me të zgjedhurit në njësitë bashkiake, jemi këtu për të hapur publikisht dhe për të qenë në kontakt të vazhdueshëm me publikun e kryeqytetit, procesin e sensibilizimit për mbledhjen e çdo ndihme solidariteti dhe çdo kontributi, sado të vogël, qoftë financiar, qoftë material”, - tha kryebashkiaku.
Kutitë do të vendosen para Bashkisë. Në darkë do të dërgohen në llogari bankare për t’u rihapur përsëri ditën tjetër. Ndërsa ambientet e njësive bashkiake do të jenë të hapura për të mbledhur veshje, ushqime, lodra dhe gjithçka tjetër të nevojshme për të prekurit nga përmbytjet.
Akuzat
Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, akuzoi qeverinë si fajtoren kryesore për shkaktimin e kësaj katastrofe që përfshiu Veriun e vendit. “Edhe pse kjo katastrofë është shkaktuar nga dora e robit dhe jo e Zotit, në mënyrë që ata të mos ndihen vetëm, ne do t’iu vijmë në ndihmë atyre personave që kenë mbështetjen e dikujt”, - u shpreh Rama. Por edhe këshilltarët socialistë të PS-së në Bashki kanë vënë në dispozicion të fondit në ndihmë të kësaj zone të përmbytur, pagesën e tyre mujore, që është vetëm fillimi i kontributeve që qytetarët e Tiranës do të vazhdojnë të japin për t’u gjendur në këto ditë të vështira në krah të asaj zone të përmbytur. Këta banorë kanë nevojë për çfarëdolloj gjëje, që nga veshjet, ushqimet, lodrat dhe gjithçka tjetër. Bashkia do të bëjë ç’është e mundur për t’u ardhur ndihmë banorëve të zonave të përmbytura.
Ndihma nga i gjithë vendi për banorët e zonave të përmbytura
Organet e qeverisjes vendore në mbarë vendin, institucione të ndryshme joqeveritare, kompani biznesi dhe individë janë solidarizuar me banorët e shpërngulur nga përmbytja në qarkun e Shkodrës. Komuniteti Mysliman Shqiptar do të japë një ndihmesë prej 10 mijë eurosh në ndihmë të banorëve të shpërngulur nga përmbytja. Kryetari i Komunitetit Mysliman, Selim Muça, bëri të ditur se kontributi për situatën e emergjencës nuk është kufizuar vetëm në vlera monetare, por edhe vënie në dispozicion të mjeteve dhe pajisjeve të nevojshme për operacionet e ndryshme në terren. Kështu, firmat e biznesit ”Rinia 96” në Fushë-Krujë dhe “Pasha x” në Thumanë, kanë vënë në dispozicion mjetet e tyre të punës, ekskavatorë, fadroma, autobote për ujin e pijshëm dhe autobote për ujërat e zeza. Organet e qeverisjes vendore të të gjitha niveleve janë solidarizuar gjithashtu me zonat e prekura nga përmbytja dhe që ndodhen në situatë emergjente. Ndërsa 10 qarqe, 83 komuna dhe bashkitë e para filluan mbështetjen për zonat e përmbytura. Këshillat e qarqeve kanë depozituar deri tani 60 mijë euro. Ndërkohë, qarqet Vlorë, Fier e Gjirokastër kanë nisur edhe dy trajlera me ushqim për bagëtinë, dy maune me miell dhe dy maune me ushqime. Bashkia e Kavajës kontribuon me 1.25 milionë lekë dhe 4 kamionë me ndihma, Bashkia e Kamzës me 1 milion lekë, plus makineri dhe punonjës të specializuar dhe Bashkia Kukës me 3000 euro. Por edhe komunat të tjera në mbarë vendin u kanë ardhur në ndihmë banorëve jo vetëm me ndihma monetare, por edhe me ndihma materiale.
Ndihma edhe nga ndërkombëtarët
Shteti grek ka dërguar në Shqipëri 4 automjete zjarrfikëse, 4 varka shpëtimi, 9 pompa për nxjerrjen e ujit, 5 gjeneratorë, si dhe mjete të tjera logjistike që shërbejnë për evakuimin e personave në nevojë në raste fatkeqësish natyrore. Italia ka ndihmuar Shqipërinë në një situatë të tillë emergjence me dy helikopterë tip “ACH 47”, me kapacitet transporti 37 trupa, 12 autobote, pompa, varka, tenda, gjeneratorë, ushqime, medikamente dhe veshje. Sllovenia ka dërguar drejt Shqipërisë 13 gjeneratorë (GNR), Austria gjithashtu ka dërguar 8 gjeneratorë (GNR), Franca ka dërguar 12 pompa për shkarkimin e ujërave dhe 8 gjeneratorë dhe Moldavia ka dërguar ushqime dhe medikamente mjekësore. Edhe qeveria maqedonase vendosi dje të dërgojë 21 pompa për tharje, 5 gomone dhe 8 tenda të mëdha. Një ndihmë financiare prej 200 mijë eurosh është dërguar nga qeveria e Kosovës dhe që do të përdoren për banorët e shpërngulur nga përmbytjet natyrore të qarkut Shkodër dhe Lezhë. Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi në mbledhjen e disa ditëve më parë akordimin e ndihmës financiare prej 200 mijë eurosh. Gjatë fjalës së tij kryeministri Thaçi ka vlerësuar gatishmërinë dhe solidaritetin nga komunat e Kosovës, qytetarët dhe komuniteti i biznesit për të ndihmuar reduktimin e pasojave të vërshimeve në Veriun e Shqipërisë.
Ndihmat nga komunat dhe bashkitë
Këshillat e qarqeve kanë depozituar deri tani 60 mijë euro. Ndërkohë, qarqet Vlorë, Fier e Gjirokastër kanë nisur edhe dy trailera me ushqim për bagëtinë, dy maune me miell dhe dy maune me ushqime.
Bashkia e Kavajës kontribuon me 1.25 milionë lekë dhe 4 kamionë me ndihma; Bashkia e Kamzës me 1 milion lekë, plus makineri dhe punonjës të specializuar; Bashkia Kukës me 3000 euro.
Durrës: Komuna Gjepalaj, 100 mijë lekë; Katund i Ri, 1 milion lekë; Rashbull, 1 milion lekë; Xhafzotaj, 1 milion lekë.
Elbasan: Komuna Bradashesh, 1. 4 milion lekë; Gostime, 200 mijë lekë; Tregan, 100 mijë lekë.
Librazhd: Komuna Hotolisht, 200 mijë lekë; Lunik, 100 mijë lekë; Orenjë, 100 mijë lekë; Polis, 100 mijë lekë; Qendër, 200 mijë lekë; Qukës, 100 mijë lekë; Rrajcë, 200 mijë lekë; Steblevë, 100 mijë lekë; Stravaj, 100 mijë lekë.
Fier: Komuna Frakull, 500 mijë lekë
Lushnjë: Komuna Allkaj, 100 mijë lekë; Ballagat, 100 mijë lekë; Bubullimë, 100 mijë lekë; Dushk, 100 mijë lekë; Fier-Shegan, 100 mijë lekë; Golem, 100 mijë lekë; Grabian, 100 mijë lekë; Gradishtë, 100 mijë lekë; Hysgjokaj, 100 mijë lekë; Karbunarë, 100 mijë lekë; Kolonjë, 500 mijë lekë; Krutje, 100 mijë lekë; Remas, 100 mijë lekë; Tërbuf, 100 mijë lekë.
Mallakastër: Komuna Fratar, 100 mijë lekë; Greshicë, 100 mijë lekë; Qendër Mallakastër, 500 mijë lekë ushqim për bagëtinë.
Gjirokastër: Komuna Cepo, 400 mijë lekë; Dropull i Sipërm, 2000 euro; Lazarat, 400 mijë lekë; Lunxhëri, 3000 euro; Odrie, 2000 euro; Pogon, 2000 euro.
Kukës: Komuna Shishtavec, 100 mijë lekë
Tiranë: Komuna Golem, 500 mijë lekë; Helmës, 100 mijë lekë; Lekaj, 100 mijë lekë; Synej, 100 mijë lekë dhe 200 mijë lekë ushqime; Bërzhitë, 200 mijë lekë; Dajt, 800 mijë lekë ushqime; Farkë, 500 mijë lekë ushqime; Kashar, 1 milion lekë; Kërrabë, 50 mijë lekë; Petrelë, 500 mijë lekë; Vaqar, 200 mijë lekë.
Mirditë: Komuna Orosh, 100 mijë lekë; Zerqan, 100 mijë lekë
Korçë: Komuna Mollas, 150 mijë lekë; Drenovë, 100 mijë lekë; Gorë, 50 mijë lekë; Pirg, 100 mijë lekë; Moglicë, 20 mijë lekë; Bulgarec, 150 mijë lekë; Vithkuq, 100 mijë lekë; Voskop, 100 mijë lekë; Voskopojë, 100 mijë lekë; Vreshtas, 100 mijë lekë; Liqenas, 50 mijë lekë.
Pogradec: Komuna Buçimas, 100 mijë lekë; Çëravë, 100 mijë lekë; Dardhas, 100 mijë lekë; Hudenisht, 100 mijë lekë; Proptisht, 100 mijë lekë; Komuna, 100 mijë lekë.
Ersekë: Komuna Barmash, 50 mijë lekë; Çlirim, 70 mijë lekë; Mollas, 70 mijë lekë; Q.Ersekë, 50 mijë lekë.
Bilisht: Q. Bilisht, 100 mijë lekë; Miras, 100 mijë lekë; Hoçisht, 100 mijë lekë; Progër, 100 mijë lekë.
14 Janar 2010