Frika nga përmbytjet, Ministria e Bujqësisë urdhëron pastrimin e kanaleve
Në disa qarqe të vendit ka nisur prej disa ditësh puna për hapjen e kanaleve dhe kolektorëve shkarkues në fusha. Shkak për këtë është bërë një urdhër i Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, që u ka kërkuar prefekturave të disa qarqeve të nisin menjëherë nga puna për rihapjen e kanaleve kulluese. Frika nga ndonjë përmbytje e radhës prej reshjeve që mund të bien në muajt në vazhdim, apo nga ndonjë vërshim i papritur lumenjsh, e ka detyruar MBUMK që të nxjerrë dhe të vërë në punë ekskavatorët që prej ditësh po hapin kanalet kulluese në të gjithë ultësirën perëndimore. Urdhri, i cili nuk është bërë publik nga MBUMK, mësohet të jetë dhënë vetëm disa ditë më parë nga vetë ministri Ruli, i cili ka premtuar mospërsëritjen më të situatave të ngjashme me ato të Shkodrës dhe Lezhës. Në qarqet e Fierit, Beratit, Vlorës, Durrësit, Tiranës, Kurbinit dhe Lezhës ka nisur puna dhe me dhjetëra ekskavatorë të marrë me qira nga shteti firmave private, kanë nisur të hapin kanalet kulluese dhe shkarkuese. Burime nga MBUMK bëjnë të ditur se me intensitet po punohet sidomos në qarkun e Fierit dhe Beratit, në të cilin vazhdimisht rrjedhat e poshtme të disa lumenjve kanë përmbytur jo pak herë tokat e bukës dhe zonat e banuara. Në zonën e Myzeqesë prej disa ditësh ka nisur puna për hapjen ose rihapjen e kolektorëve dhe kanaleve kryesorë shkarkues, në një kohë që në rrethet Fier, Lushnjë dhe Berat, komunat dhe prefekturat u kanë bërë thirrje dhe fermerëve që t’i mbështesin duke nisur hapjen e kanaleve të vogla kulluese të arave. Po kështu, brigada dhe specialistë të Ministrisë së Bujqësisë kanë inspektuar këto ditë edhe grykëderdhjet e lumenjve Vjosë, Seman dhe Shkumbin, në një kohë që është koordinuar edhe puna për kontrollimin e hidrovoreve në këto zona.
14 Janar 2010