E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Akuzat e Ramës ndaj Priftit janë obsesion personal”

Kreu i LSI-së thekson se situata është menaxhuar profesionalisht
Eljona Ballhysa
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëkohësisht dhe zëvendëskryeministër, Ilir Meta, i cilësoi dje akuzat e kreut të PS-së Rama ndaj ministrit të Energjetikës Prifiti, si një obsesion personal. Sipas Metës, edhe nëse Prifti nuk do të ishte në qeveri, Rama do të hidhte akuza ndaj tij. Ndërkaq, nga selia e LSI-së, Meta e cilësoi të suksesshme menaxhimin e situatës emergjente në Veri të vendit, ndërsa e cilësoi këtë situatë një fatkeqësi natyrore që ndodh njëherë në 100 vjet. Kreu i LSI-së u shpreh se Shkodra do të vazhdojë të jetë prioritet i qeverisë derisa e gjithë zona të rehabilitohet dhe qytetarët të marrin dëmshpërblimin që u takon. Më tej zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm foli për axhendën e proceseve integruese të vendit në Bashkimin Europian duke shprehur bindjen se shqiptarët do të përfitojnë liberalizimin e vizave brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
Reagimi
“Për akuzat e z. Rama ndaj ministrit të Ekonomisë dhe të Energjetikës, z. Prifti, të jeni të sigurt ju se edhe sikur të mos ishte fare në qeveri z. Prifti, ata prapë do të kërkonin largimin e z. Prifti. Ai ka obsesion personal, janë arsyet e tyre, por në politikë nuk ecet me opsesione personale”, - është shprehur Meta. Sipas tij, nuk është normale që të tilla situata emergjente të përdoren për të bërë politikë. “Mua më vjen keq për të gjithë këta, sidomos për ata politikanë, të cilët kërkojnë të bëjnë lajme ndërtuar mbi një fatkeqësi natyrore. Nuk është një vlerësim thjesht yni, tashmë është dhe një vlerësim edhe i institucioneve të njohura ndërkombëtare që studiojnë kushtet klimaterike, që ky fenomen që ka ndodhur përgjatë kësaj periudhe në Shqipërinë e Veriut, pra i një intensiteti të jashtëzakonshëm të reshjeve të shiut dhe të dëborës dhe i kombinuar në një kohë shumë të shkurtër me kalimin nga temperatura të ftohta në temperatura shumë të ngrohta, që kanë sjellë një shkrirje të shpejtë të dëborës të grumbulluar në këtë hapësirë, është një fenomen që ndodh një herë në 100 vjet”, - është shprehur Meta, i cili ka vlerësuar menaxhimin e kësaj situate emergjente nga autoritetet qeveritare dhe ato vendore. “Përsa i takon menaxhimit të kaskadës së Drinit, unë jam i bindur që ajo është menaxhuar në mënyrë korrekte dhe profesionale, bazuar në ligjin dhe rregulloren për mbi të cilat funksionon menaxhimi i këtyre hidrocentraleve dhe i kaskadës, dhe i sistemit tonë energjetik në përgjithësi. Absolutisht që kjo është një fatkeqësi natyrore; çdo përpjekje për të instrumentalizuar një fatkeqësi të tillë për qëllime politike, absolutisht që shton keqardhjen kur është koha që të gjithë të japin kontributin e tyre për ta menaxhuar këtë situatë sa më mirë”, - është shprehur zëvendëskryeministri.
Axhenda integruese
I pyetur nëse ka ndikuar kjo situatë në punën e administratës për përgatitjen e pyetësorit të BE-së, ministri i Jashtëm u shpreh se Pyetësori, pavarësisht situatës, vazhdon të mbetet prioritet i qeverisë. “Absolutisht jo. Pavarësisht nga kjo situatë, përgjigjet ndaj Pyetësorit kanë qenë dhe mbeten prioritet dhe absolutisht brenda pak ditësh, pothuajse e gjithë puna paraprake po përfundon, ashtu sikurse dhe çështje të tjera si liberalizimi i vizave, apo përgjigjet e Progres-Raportit të Komisionit Europian që janë pjesë e axhendës së qeverisë”, - është shprehur Meta. Ai bëri të ditur se po punohet për të plotësuar standardet e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. “Absolutisht që progresi është i jashtëzakonshëm gjatë muajve të fundit në të gjitha blloqet, pra në katër blloqet e këtij udhërrëfyesi. Ka disa elemente që janë në proces, sikurse është ligji kundër diskriminimit, që është në procedura zyrtare të Parlamentit dhe do të miratohet në javët e ardhshme, apo dhe disa detyrime të tjera, por ne jemi të bindur që brenda këtij vitit Shqipëria i plotëson të gjitha këto detyrime dhe shqiptarët do ta meritojnë të udhëtojnë pa viza në të gjitha vendet e hapësirës ‘Shengen’. Çdo gjë është sipas një kalendari të paracaktuar më parë dhe jemi të bindur se gjithçka do të vijojë normalisht”, - ka garantuar ministri i Punëve të Jashtme.

14 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›