“Porti rrit taksat, po shtyn bizneset drejt vendeve fqinje”
DURRES / OERD ULQINI
Çdo shqiptari që lundron në Perëndim përmes Durrësit, do t’i duhet të paguajë tani tre herë më shumë taksa portuale. Rritja fiktive e çmimit të biletave, përmes mekanizmit të taksave të imbarkimit dhe të çimbarkimit është vënë në shënjestër të degës së selisë rozë. Selia lokale e PS-së ka arritur deri aty, sa të japë alarmin “SOS” për armatorët shqiptarë, të cilët prej muajsh i kanë pa punë anijet e tyre të mallrave. Sipas kreut Gazmir Bizhga, në këtë port janë trefishuar taksat jo vetëm për pasagjerët, por edhe për mallrat. “Përpara pak ditësh dhe në mënyrë gjysmë klandestine Autoriteti Portual i Durrësit, në kulmin e një krize globale rriti në mënyrë të menjëhershme dhe pa u konsultuar me asnjë nga operatoret privatë vendas e të huaj apo me këshillin konsultativ të tyre të gjitha taksat portuale, duke rënduar në këtë kohë krize barrën fiskale të biznesit detar”, tha kryesocialisti në konferencën për shtyp. “Kështu tarifat e imbarkimit për person në Bari e Ankona janë në nivelin 2 euro, në portin e Durrësit me taksat e reja do të shkojë 6 euro. Çudia më e madhe është se APD ka shpikur për herë të parë edhe taksën e çimbarkimit e të sigurisë, që rëndon drejtpërsëdrejti në koston e biletës së pasagjerëve dhe që nuk gjendet në asnjë prej porteve të Rajonit. Janë rritur me dy-tre herë taksat e kalimit dhe ankorimit në port, p.sh. nëse një anije apo traget me një tonazh të përcaktuar për një hyrje-dalje në port do të paguante 599.4 euro, me tarifat e reja do të paguajë 2125.7 euro, pra 3 herë më shumë”, argumentoi Bizhga. Në këto kushte, sipas tij, Shqipëria ndodhet përpara një alarmi të ri ekonomik, pasi Durrësit i rrezikohet t’i “vidhet” puna nga ofertat joshëse të Tivarit dhe Igumenicës. Bizhga pohoi se puna në portin e Durrësit është në minimumin historik. “Duke vlerësuar edhe distancat që kanë portet e Igumenicës, Selanikut, Tivarit me kryeqendrat ekonomike të Ballkanit, e vetmja mundësi që ka porti i Durrësit për të konkurruar trafikun e mallrave dhe njerëzve në aksin lindje-perëndim është ulja e taksave”, tha Bizhga.
Nuk ka vonuar reagimi i APD-së ndaj deklaratës së Bizhgës. Eduart Ndreu, kreu i Autoritetit është shprehur se “Durrësi nuk ka pasur ndonjëherë më shumë punë sesa aktualisht. Këtë fakt e konfirmojnë konteinierët e panumërt, që vijnë nga Azia e largët. Porti ynë është shndërruar në një nyje të pashmangshme tranziti nga Adriatiku deri në Detin e Zi. Puna e konteinierëve është shumëfishuar në pak vite. Të them të drejtën nuk e prisnim as vetë këtë “bum” të madh pune të konteinerëve”, reagoi Ndreu. Drejtori i Autoritetit Portual të Durrësit, të hënën pritet të japë një konferencë për shtyp, ky synon të rrëzojë me shifra konkrete akuzat e socialistëve.