Dhuna, akuzë 2 agjentëve të policisë
Trazhgim Sokolaj
Djali i oficerit të Policisë Gjyqësore denoncon në Prokurori për keqtrajtime, dhunë fizike dhe shkelje të ligjit, dy agjentë të Policisë Kriminale në sektorin e Hetimit të Vjedhjeve në policinë e Tiranës. Kallëzimi penal është depozituar dje para prokurorit Valentin Preçi, i cili menjëherë sapo mori dijeni për ngjarjen, urdhëroi hetuesit të dokumentojnë kallëzimin kundër agjentëve të policisë. Rreth orës 12:30, edhe pse në një ditë pushimi, Klajdi Hyka, 18 vjeç, së bashku me babanë e tij, oficer policie pranë Komisariatit nr. 5 në kryeqytet, u paraqitën në Prokurorinë e Tiranës. Ata kërkuan të marrin kontakt me prokurorin e gatshëm që ndjek krimet e ditës dhe menjëherë kanë ndjekur procedurat e formalizimit të kallëzimit penal. Ngjarja për të cilën akuzohen dy agjentët e hetimit të vjedhjeve në policinë e Tiranës mësohet se ka ndodhur rreth orës 16:00 të së premtes. Dy agjentët e policisë, të veshur civilë, kishin hipur në autobusin e linjës Tiranë-Pezë, me qëllim ndjekjen e situatës kriminale lidhur me hajdutët e xhepave që veprojnë në linjat e transportit publik në kryeqytet. I dëmtuari, nxënës në vitin e tretë të shkollës së mesme, tha se dhuna nga agjentët e policisë është ushtruar pasi ata pretenduan se tre të rinjtë kishin tentuar të vidhnin udhëtarët e autobusit.
Skena e dhunës
“Ndal, policia! Ju të tre duhet të vini me ne në komisariat”. Këto kanë qenë fjalët e dy agjentëve civilë që janë ngritur menjëherë në këmbë në kohën kur autobusi ishte duke kaluar tek Ura Teknologjike në afërsi të një karburanti. Personat e prezantuar si punonjës policie kanë zbritur në tokë 18-vjeçarin Klajdi Hyka bashkë me djalin e hallës së tij me iniciale E.T. dhe një shok të tyre 17 vjeç me iniciale G.H. “Na çuan tek një barakë e boshatisur aty pranë karburantit dhe na qëlluan, duke na bërtitur e duke na kontrolluar me akuzat se kishim vjedhur pasagjerët e autobusit”, tregoi dje 18-vjeçari Hyka, pasi depozitoi kallëzimin në Prokurorinë e Tiranës. Ai tha se agjentët e policisë qëllonin me duar dhe me shkelma, por kujdeseshin që të mos linin shenja dhune kryesisht në fytyrë. Sipas pretendimit të 18-vjeçarit të dëmtuar, mësohet se pas veprimeve që kanë kryer në barakën e boshatisur, dy agjentët e hetimit të vjedhjeve kanë vendosur t’i shoqërojnë tre të rinjtë për në Komisariatin e policisë nr. 2, ku ndodhen aktualisht Zyrat e Sektorit të Hetimit të Vjedhjeve në policinë e Tiranës. Klajdi Hyka, i cili tregon se ndjen dhimbje në të gjithë trupin, çka duket edhe gjatë ecjes së tij të kujdesshme përkrah babait të tij, thotë se dhuna fizike dhe fyerjet kanë vazhduar edhe në komisariat. “Aty na mbajtën për orë të tëra, deri në orën një pas mesnate. Na qëllonin me grushte, shpulla dhe shkelma. Pasi nuk na gjetën asgjë në rroba, na kërcënonin të pranonim dhe në fund na sollën disa dokumente për t’i firmosur. Ishin disa dokumente që ata i shkruan vetë pa praninë dhe dijeninë tonë”, thotë i dëmtuari. Ai pranon se ka firmosur mbi ato shkresa nën kërcënimin e dhunës fizike, pa e ditur çfarë shkruhej në to.
Skandali
Burimet nga Prokuroria e Tiranës konfirmuan dje se kanë nisur hetimet menjëherë për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur me tre të rinjtë. Denoncuesi i dhunës ka pohuar se në asnjë moment, agjentët e policisë të veshur civilë nuk ishin prezantuar, ndaj ai tha se emrat e tyre nuk mund t’i depozitonte në Prokurori, për shkak se nuk i dinte. Babai i Klajdit, i cili është edhe vetë punonjës policie, pohon se “denoncimin këtu në Prokurori prandaj e bëmë, që të mësojmë kush na e masakroi djalin në këtë mënyrë dhe pa asnjë shkak”. Djali 18-vjeçar tregon më tej një plagosje të lehtë në pjesën pranë syrit të djathtë dhe më pas shfaq edhe pjesët e skuqura të lëkurës në qafë. Ai thotë se dy agjentët e policisë, për të cilën besoi se ishin të tillë vetëm pasi e çuan në komisariat, ishin kujdesur të qëllonin pa lënë shenja dhune, duke qëlluar në pjesën e flokëve në kokë dhe në gjymtyrët e trupit. Për më se dy orë në Prokurorinë e Tiranës, babai i të dëmtuarit dhe vetë ai kanë dhënë deklarimet e tyre dhe më pas kanë hedhur firmën poshtë kallëzimit. Prokuroria ndërkaq pritet të verifikojë së pari emrat e punonjësve të Policisë Kriminale që kanë qenë në shërbim të premten pasdite në linjën e urbanëve Tiranë-Pezë dhe më pas t’i thërrasë ata për t’i marrë në pyetje. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë e një ballafaqimi mes agjentëve të Policisë Kriminale dhe të dëmtuarve, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
I dëmtuari: Ishim në Tiranë për një kafe
TIRANE – Klajdi Hyka, njëri nga tre adoleshentët që pretendojnë se janë keqtrajtuar nga policia, tha se bashkë me djalin e hallës së tij dhe me një të njohur, kishin qenë në Tiranë për një kafe ditën e premte. Pasi kanë qëndruar për disa orë në Tiranë, sipas të dëmtuarit, tre të rinjtë janë nisur në drejtim të vendbanimit të tyre në Pezë, me autobusin e linjës. Mjeti ka bërë disa minuta rrugë, derisa në afërsi të Urës Teknologjike pranë zonës së Qytetit të Nxënësve në dalje të Tiranës, dy persona civilë që ndodheshin në autobus janë ngritur në këmbë dhe duke bërtitur kanë pretenduar se janë agjentë të policisë, duke urdhëruar tre adoleshentët të dalin jashtë. “Atë çfarë ndodhi më tej e kam sqaruar në kallëzimin që kam bërë në Prokurori, por sjellja e atyre personave ishte shumë e rëndë. Përveç dhunës fizike dhe rrahjes, na kanë fyer dhe na kanë sharë vazhdimisht, duke na kërcënuar gjatë gjithë kohës së shoqërimit”, tregon 18-vjeçari që ka paditur dy agjentët e policisë. Sipas tij, agjentët duket se kanë dashur të justifikojnë me dokumente veprimet e tyre të paligjshme, ndaj përmes dhunës i kanë detyruar tre adoleshentët të firmosin disa shkresa që ende nuk është e qartë çfarë përmbanin dhe për çfarë do të shërbejnë. Ajo që konfirmohet është se shkresa të tilla janë firmosur prej adoleshentëve nën trysninë e dhunës dhe keqtrajtimeve fizike në Komisariatin nr. 2 të policisë së Tiranës.
Oficeri: Shkova te Komisariati nr. 2, por nuk më dëgjoi askush për dhunën
TIRANE – Djali i tij pretendon se dy agjentë policie, kolegë të babait, e kanë zbritur me dhunë nga autobusi, e kanë rrahur në mes të rrugës e më pas e kanë keqtrajtuar dhe fyer me fjalë të rënda edhe në dhomat e izolimit në komisariat. Megjithatë babai i Klajdi Hykës, sapo ka parë djalin të kthehej mëngjesin e djeshëm në shtëpi dhe ka mësuar për ngjarjen, është drejtuar menjëherë për në Komisariatin nr. 2. “Shkova për t’u interesuar. Pas gjithë asaj që kish ndodhur me djalin, në orën 01:00 pas mesnate ata e kanë nxjerrë nga komisariati dhe e kanë lënë në rrugë. Djali erdhi më këmbë në shtëpi”, pohon oficeri i Policisë Gjyqësore të Komisariatit nr. 5 të Kamzës. Sipas tij, pasi është paraqitur në Komisariatin nr. 2, ku është prezantuar se ishte punonjës policie dhe kërkonte sqarime për rrahjen e djalit të tij, babai i të dëmtuarit është nxjerrë jashtë nga personeli aty. “Shkova dhe u interesova përse kishte ndodhur ajo situatë me djalin, por s’më dëgjoi askush, madje me nxorën jashtë. Unë besoj se tani pasi bëmë denoncim, dikush do ta ndjekë këtë punë sipas ligjit dhe unë do të marr vesh përse ma kanë bërë djalin kështu, gjysmë njeriu”, thotë oficeri i policisë.