Kapen me drogë, dy të rinj në pranga
Lushnjë
Dy “shitës” bime narkotike janë vënë në prangat e policisë mëngjesin e së premtes. Ata janë kapur duke transportuar 1 kg kanabis sativa. Por, gjatë kontrollit në banesë, u janë gjetur 12 kg hashash, i cili ishte destinuar për shitje.
Burimet zyrtare të Komisariatit të Lushnjës bëjnë të ditur se në orën 08:30 të mëngjesit të së premtes, në kuadër të operacionit “Expres” janë arrestuar: Ermal Mihali, 25 vjeç dhe 26-vjeçari Armelin Semini. Të dy të rinjtë, të afërm me njëri-tjetrin, janë banorë të fshatit Mërtish të Rrethit të Lushnjës. Konfirmohet zyrtarisht se Mihali dhe Semini janë arrestuar në fshatin Këmishtaj, ku pas kryerjes së kontrollit fizik u është gjetur një sasi prej 1 kg kanabis sativa. Më pas, në banesën e Armelin Seminit policia ka gjetur 12 kg bimë narkotike, si dhe një armë zjarri, e cila mbahej pa leje. Sipas burimeve të grupit të hetimit, dy të arrestuarit e kishin prodhuar vetë drogën dhe po siguronin treg shitjeje për të.
#