Dyndje në sportelet e aplikimit për kartat
Ndërsa ritmi i aplikimeve është shumë i ulët, nënprefekti i Lushnjës, Daut Sulaj, shprehet se fluksi i radhëve është shtuar si shkak i çmimit prej 200 lekësh për aplikimin e kartës. Ashtu si dhe prefekti i Fierit, edhe nënprefekti i Lushnjës ka kërkuar nga qytetarët që të tërheqin kartat e prodhuara. Dhjetëra qytetarë lushnjarë u janë drejtuar këto ditë sporteleve të aplikimit për letërnjoftimet e reja. Qytetarë të shumtë tregojnë se janë detyruar të paraqiten për disa ditë me radhë në zyrat e aplikimit, pa mundur të aplikojnë. "Erdha një herë në muajin shkurt e qëndrova për më shumë se një javë për të aplikuar. Nuk arrita dhe ika. Po ashtu, një javë kam qëndruar edhe në muajin prill. Dhe tani në muajin maj kam tri ditë që po vij", thotë Mejdin Aliko, banor i lagjes "Loni Dhamo" në qytetin e Lushnjës. Nga operatorët informohemi se radhët dhe fluksi i aplikuesve është rritur ndjeshëm dy javët e fundit, atëherë kur dhe qeveria nxori vendimin për uljen e çmimit të kartave. Nga ana tjetër, nënprefekti i Lushnjës, Daut Sulaj, thotë se fluksi ishte i pritshëm, ndërsa ka shtuar se janë mijëra qytetarë ata që ende nuk kanë tërhequr kartat e prodhuara.