E Shtunë, 31 Tetor 2026

Invalidët nuk kanë kushte për të aplikuar

Procesi i pajisjes me letërnjoftime të reja në Qarkun e Beratit vazhdon të shoqërohet nga një sërë problemesh. Në rang qarku, numri i shtetasve që do të marrin pjesë në votime është në shifrën mbi 166 mijë dhe 45 mijë prej tyre nuk kanë një pasaportë të vlefshme për të votuar.

Ndërsa ka filluar aplikimi në të gjitha komunat dhe bashkitë e qarkut, procesi ka hasur probleme të shumta, gjë që ka ndikuar në ngadalësimin e aplikimit dhe të prodhimit të kartave të identitetit. Kështu, sipas burimeve të institucionit të prefektit, në rang qarku ka filluar aplikimi në 22 njësi vendore (5 bashki dhe 17 komuna), ku deri në ditën e sotme numri i aplikimeve ka arritur 62654 shtetas, ndërsa i letërnjoftimeve të prodhuara 50159. Letërnjoftimet e tërhequra janë gjithsej 33418. Nga ana tjetër, burime nga kryetarët e rajoneve bëjnë të ditur se ka pasur edhe probleme gjatë procesit të aplikimeve, të cilat kanë ndikuar në radhët e gjata të njerëzve që presin të aplikojnë. Problemet më të shpeshta janë vonesat e montimit të aparaturave në zonat e largëta në komunat Çepan, Gjerbës, si dhe Tërpan të Skraparit, ndërprerje të linjës së internetit, si dhe vështirësi për aplikim në qendra nga invalidët.

Kështu, vetëm në Komunën e Poshnjës, sipas nënkryetarit të kësaj komune, Bektash Sula, janë mbi dhjetë invalidë të cilët nuk mund të aplikojnë, për arsye se nuk kanë mundësi të lëvizin. Sula bën apel që shteti të ndërhyjë, duke gjetur mundësitë që edhe kjo kategori njerëzish të aplikojë.

Në këtë komunë, 140 persona janë të detyruar të aplikojnë për herë të dytë për karta, pasi aparatura është me defekt dhe u janë djegur të gjitha të dhënat, fotografitë dhe shenjat e gishtërinjve.

Edhe në Komunën e Kozares ecuria është e ngadaltë, pasi me ditë të tëra ka pasur defekte në sinjalin e internetit, po kështu në Kutalli, si dhe në komunat Çepan e Gjerbës të Rrethit të Skraparit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›