Në dy njësi nuk janë instaluar ende aparaturat
Ku afati limit i aplikimit të qytetarëve për marrjen e kartave të identiteti po skadon, në 32 qendrat e aplikimit në Qarkun e Dibrës ka dyndje qytetarësh për të aplikuar. Ndërkohë që në zona të thella malore ende ka nivele të ulëta aplikimesh, që nuk shkojnë as në 50 për qind të numrit të përgjithshëm të tyre. Kjo ka ardhur për shkak të largësisë së madhe të fshatrave nga qendrat e aplikimit. Më problematike gjendja mbetet në dy njësi vendore, si Ulza në Rrethin e Matit dhe Trebishti në Rrethin e Bulqizës, ku nuk janë instaluar ende pajisjet për të aplikuar, por qytetarëve u duhet të aplikojnë në njësitë vendore fqinje deri 20 kilometra larg. Vendimi i qeverisë që njësitë vendore të sigurojnë transportin për aplikantët, në të shumtën e rasteve neglizhohet, duke u bërë kështu pengesë për ecurinë normale të procesit. Por, nëse procesi i aplikimit është vënë në rrugë, numri i qytetarëve që kanë mundur të pajisen me karta deri më tani ka mbetur mjaft i ulët. Kështu, nga informacione konfidenciale mësohet se ky numër është 5 deri 6 herë më i vogël se numri i përgjithshëm i aplikimeve të bëra.