E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet me drogë në gjimnaz

 

LUSHNJE - Arrestohet 20-vjeçari duke shpërndarë drogë në një shkollë të qytetit të Lushnjës. Gentjan Cerria u kap në flagrancë nga policia e Lushnjës, me 1.5 gr lëndë narkotike, e dyshuar si heroinë. Policia dyshon se klientët e 20-vjeçarit janë gjimnazistët e qytetit, për shkak se arrestimi i tij u bë pranë shkollës së mesme. Pas ndalimit të së riut u ushtrua kontroll në banesën e tij, por nuk u gjet asnjë lëndë e dyshimtë. Arrestimi i Çerrisë vjen pak ditë pas prangosjes së 5 personave në qytetin e Fierit, të akuzuar për tregtim të lëndës narkotike në shkollat e mesme. Në flagrancë atyre iu bllokua 550 gr heroinë, e ndarë në pako të posaçme për shitje. Mësohet se policia, në bashkëpunim me drejtoritë e shkollave ka marrë masa të rrepta për të mbrojtur gjimnazistët nga shpërndarësit e drogës.  m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›