Zhvarroset gruaja pas 12 vitesh
PESHKOPI
Zhvarroset gruaja e ekzekutuar mbi varrin e të shoqit 12 vjet më parë. Pas arrestimit muajin e kaluar të kunatit të saj dhe kushëririt, si të akuzuar për krimin është kërkuar ekspertimi i trupit të viktimës Zinete Buci. Për herë të parë në fshatin e largët të Macukullit, Vig, është kryera zhvarrosja e një kufome, në prani të prokurorit të çështjes, Sabri Kastrati, efektivave të policisë lokale, avokates së të akuzuarve për krimin dhe dy ekspertëve të laboratorit kriminalistik. Gruaja u ekzekutua më 19 qershor 1997, në rrethana misterioze në qytetin e Burrelit. "Gjetëm disa eshtra të mbështjella në një batanije. Në eshtrat e kokës dallohej qartë, pa qenë nevoja të kryhen analiza laboratorike, se mbi viktimën janë lëshuar breshëri plumbash. Ndërkohë në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme nuk dalloheshin qartë shenjat e plumbave", pohuan burime nga grupi hetimor. Banorë të fshatit kanë tentuar të ndjekin nga afër këtë skenë, por ata nuk janë lejuar nga efektivat e policisë, të cilët kishin marrë urdhër të ndalonin çdo lëvizje të njerëzve në afërsi të varrezave të fshatit Vig, në rrethin e Matit. Nën akuzë nga prokuroria e Matit për vrasjen e Zinete Bucit janë vënë Ylber Karaj e Bujar Buci. Sipas provave e dëshmive të marra organi i akuzës ka zbuluar se Karaj, daja i ish-bashkëshortit të Zinetes dhe Buci, kunati i saj e kanë ftuar atë të dërgonin lule pranë varrit të burrit dhe pasi kanë mbërritur mbi varrin e Rustem Bucit e kanë ekzekutuar atë me disa plumba. Kohë më parë kishin hapur një gropë në afërsi të varrezave të fshatit, gropë e cila u hap dje pas 12 vitesh. Aty grupi hetimor gjeti dhe sende personale të viktimës, të cilat nuk ishin shkatërruar plotësisht. Ekspertimi i plotë i eshtrave të Zinete Bucit do të plotësojë dosjen mbi vrasjen e saj, dosje e cila ishte lënë në harresë për shumë vite. Thuhet se organi i akuzës ka kryer përgjime telefonike dhe ka siguruar shumë dëshmi që fajësojnë Karajn dhe Bucin për vrasjen e Zinete Bucit. Ndërkohë, nuk ka të dhëna të sakta nëse Prokuroria e Burrelit do t'i rikthehet hetimit të vrasjes së Rustem Bucit, pasi ende nuk ka fakte nëse atë e eliminoi bashkëshortja, apo kishte bashkëpunëtorë në vrasjen makabre të tij.
Tenton të vrasë gruan dhe prindërit e saj
DEVOLL - Policia e Devollit evitoi një tragjedi të mundshme brenda familjes duke arrestuar një 40-vjeçar, i cili kërcënoi me thikë gruan dhe prindërit e saj. Ngjarja ndodhi në fshatin Gracë kur agresori, Petrit Ceno pas një konflikti me gruan, nënën dhe të atin e saj, nxori një thikë duke tentuar t'i qëllojë ata. Nga hetimet paraprake rezultoi, se shkak i kësaj ngjarjeje janë bërë konfliktet e vazhdueshme mes bashkëshortëve. Pasi ishin sinjalizuar nga e bija, të moshuarit kishin shkuar në shtëpinë e tyre në tentativë për t'i sheshuar konfliktet. Por 40-vjeçari është acaruar kur ka shkuar në shtëpi i dehur dhe ka gjetur "miq". Ai i fyeu të moshuarit dhe më pas rrëmbeu thikën e bukës, duke iu turrur fillimisht së shoqes e më pas prindërve të saj për t'i vrarë. Ata kanë mundur të largohen më vrap nga ku më pas kryen denoncimin. Policia e sinjalizuar mbërriti në vend dhe arrestoi agresorin, duke shmangur në këtë mënyrë edhe një tragjedi të mundshme me vrasje të trefishtë. j.gj