E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Duhen zgjeruar marrëdhëniet me Turqinë

Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, dhe kryeparlamentari i Turqisë,
i cili nisi dje një vizitë dyditore në vend, kanë ritheksuar rëndësinë
e shkëmbimit të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti në Pallatin e Brigadave,
kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë,
ku ka falënderuar Ankaranë zyrtare për pritjen e ngrohtë dhe
miqësore që iu ofrua gjatë vizitës së tij zyrtare në Turqi, duke nënvizuar
se takime të tilla të nivelit të lartë u shërbejnë perspektivave më të
mira të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve
tanë. Kryetari i shtetit vuri në dukje disa prej arritjeve kryesore të
vendit tonë, në kuadër të përmbushjes së aspiratës për integrimin
euroatlantik të vendit. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës nënvizoi
se edhe zgjerimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me Turqinë, në të
gjitha fushat me interes të ndërsjellë, në atë ekonomike, të mbrojtjes,
infrastrukturës, energjetikës, turizmit etj., i shërbejnë realizimit të këtij
prioriteti të politikës sonë të jashtme. Një kontribut të rëndësishëm në
këtë drejtim, vlerësoi Presidenti, ka edhe bashkëpunimi në rritje midis
institucioneve homologe parlamentare dhe të gjitha strukturave të
tjera institucionale në të dyja vendet tona. Edhe një herë në këtë takim,
Presidenti Topi çmoi ratifikimin nga Parlamenti turk Protokollit të
anëtarësimit në NATO. Kreu i shtetit shqiptar dhe kryetari i Asamblesë
së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, Këksal Toptan, ndanë
të njëjtin mendim për sa i përket rritjes së marrëdhënieve ekonomike
dhe investimeve turke në fusha të ndryshme, si turizmi dhe shkëmbimet
kulturore, duke vlerësuar kontributin e deritanishëm të investitorëve
turq në infrastrukturë, telekomunikacion, metalurgji etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›