E Diel, 1 Nëntor 2026

Emërimi i gjyqtarëve të rinj, përplasje Ministri e Drejtësisë-KLD

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka
vënë në shënjestër Minis
trinë e Drejtësisë, pasi kjo
nuk ka kryer një studim të organikave
të gjykatave të rrethit dhe
apelit. Gjatë mbledhjes së
djeshme, në KLD ka pasur replika
në distancë midis ministrit të
Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, dhe
anëtarëve të Këshillit të Lartë të
Drejtësisë, në lidhje me analizën
e organikave, si dhe me emërimin
e gjyqtarëve të rinj pranë gjykatave
të rretheve gjyqësore. Dje,
Këshilli i Lartë i Drejtësisë zhvilloi
mbledhjen e tij të fundit plenare
për vitin 2008, gjatë të cilës vëmendja
u përqendrua në disa
çështje kryesore. Si pikë të parë të
rendit të ditës, Këshilli vendosi miratimin
e disa akteve nënligjore,
me anë të të cilave janë përcaktuar
rregullat mbi procedurën e
hedhjes së shortit në gjykata dhe
ato mbi solemnitetin gjatë gjykimit
të çështjeve. "Këshilli miratoi
disa ndryshime të sistemit aktual
të vlerësimit profesional dhe etik
të gjyqtarëve", thuhej në njoftimin
e KLD-së. Sipas saj, në mbledhje u
diskutua gjithashtu në lidhje me
caktimin e përkohshëm të kandidatëve
për magjistratë, të cilët
kanë përfunduar vitin e dytë të
Shkollës së Magjistraturës, në
gjykata të rretheve gjyqësore, ku
do të kryejnë stazhin profesional.
"Duke marrë në konsideratë volumin,
si dhe kompleksitetin e çështjeve
që trajtohen në gjykatën më
të madhe të shkallës së parë në
rang Republike, pra në Gjykatën e
Rrethit Gjyqësor Tiranë, u vendos
që tetë magjistratët e vitit të dytë,
të kryejnë stazhin profesional
pranë kësaj gjykate.
Pjesa më e rëndësishme e diskutimeve
në Këshill, u fokusua në
shqyrtimin e propozimeve të ministrit
të Drejtësisë, mbi shpalljen e
dhjetë vendeve vakante, të konsideruar
prej tij të përshtatshme
për emërimin përfundimtar të
dhjetë studenteve të Shkollës së
Magjistraturës. Këto propozime iu
referuan përkatësisht gjykatave të
rrethit gjyqësor Lezhë, Korçë Fier,
Kavajë (nga dy vende), si dhe
Lushnjë e Shkodër (nga një vend).
Ndaj një pjese të propozimit të
ministrit të Drejtësisë, për të vënë
në dispozicion të magjistratëve
dhjetë vende vakante në gjashtë
gjykatat e sipërcituara të rretheve
gjyqësore, Këshilli paraqiti kontestime",
thuhet në njoftim. Më
pas theksohet se pavarësisht nga
konsensusi mbi gjashtë vendet e
tjera vakante, pranueshmëria pjesore
e propozimit të ministrit të
Drejtësisë, nuk u shoqërua me
shpallje të vakancave. Këshilli i
Lartë i Drejtësisë, bazuar edhe në
prononcimin e vetë ministrit të
Drejtësisë, vlerësoi propozimin e tij
mbi 10 vende vakante, si një akt të
vetëm të shprehjes së vullnetit,
duke e rrëzuar atë në tërësinë e tij.
"Gjatë diskutimit të kësaj çështjeje,
u evidentua mungesa e paraqitjes
në Këshill për një kohë të konsiderueshme,
e një studimi tërësor,
që Ministria e Drejtësisë është angazhuar
të kryejë, mbi nevojat për
ndryshim të organikave pranë
gjykatave të rretheve gjyqësore
dhe atyre të apeleve, së bashku me
treguesit që përcaktojnë nevojat e
këtyre ndryshimeve", thuhet në
njoftim, duke u mbyllur se KLD-ja
vlerëson se një studim i tillë
nevojitet të merret në analizë të
gjithanshme, me qëllim përshtatshmërinë
e vendimmarrjes nga ky
Këshill, jo vetëm për emërimin e
gjyqtarëve të rinj, por edhe për
vlerësimin e kërkesave për transferim
të atyre gjyqtarëve, të cilët
prej disa vitesh e ushtrojnë këtë
detyrë në gjykata larg vendbanimit
të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›