E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, nuk ka fonde për ndërtimin e argjinaturave



SHKODER - Ndërtimi dhe forcimi i argjinaturave të dëmtuara, për shkak të vërshimit të ujërave në zonën e Nënshkodrës, për momentin janë të pamundura për mungesë fondesh. Drejtori i bordit të kullimit në Shkodër, Rudolf Rasha e bëri prezente këtë shqetësim në shtabin e emergjencave civile. Sipas tij, fondet që janë vënë në dispozicion për këtë vit, mjaftojnë vetëm për të përballuar punimet në komunat e Velipojës dhe të Anës së Malit. Ndërsa për komunat e tjera nuk ka para. “Pasi kemi përballuar situatën e emergjencave, del si detyrë imediate ndërtimi i argjinaturave të reja në brigjet e Bunës”, u shpreh Rasha. Sipas tij, një pjesë e mirë e argjinaturave të këtij lumi janë dëmtuar nga vërshimi i ujërave. Kreu i bordit të kullimit e konsideroi ndërhyrjen imediate pasi, sipas tij, argjinatura është e forcuar vetëm me thasë rëre, të cilët janë vendosur nga ushtria. “Qeveria ka parashikuar për këtë vit një fond për kullimin e tokave të Velipojës dhe të Anës së Malit. Por problematike mbeten edhe komunat e tjera, për të cilat drejtoria jonë nuk ka fonde që t’i përballojë”, u shpreh më tej Rasha. Ai shtoi se bordi i kullimit ka mangësi për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e argjinaturave, hidrovoreve dhe kanaleve kulluese. E domosdoshme, sipas tij, është edhe ndërhyrja në argjinaturën e Darragjatit, por edhe i një pjese tjetër që fillon në Belaj dhe përfundon në Shirq. Argjinaturat e dobësuara përgjatë lumit Buna janë bërë mjaft problematike, ndërsa vendorët bëjnë thirrje për të ndërhyrë sa më parë me projekte konkrete për forcimin e tyre. Situata e përmbytjes së fundit ka sjellë dëmtime akoma edhe më të rënda për banorët e zonës së Nënshkodrës, të cilëve iu janë dëmtuar të mbjellat nga uji që arriti në nivelin gjer në 30 cm. Banorët kanë kërkuar ndërhyrjen e shpejtë nga ekspertët, për të vlerësuar dëmet. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›