Kapërcehen problemet e dala nga bllokada opozitare ndaj Kodit Rrugor
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha inspekton pikën e kalimit kufitar Kapshticë dhe vlerëson bashkëpunimin e mirë të palës greke për lehtësimin e lëvizjes së emigrantëve
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha inspektoi dje veprimtarinë e strukturave policore të Qarkut Korçë. Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, Basha ndoqi nga afër procedurat që zhvillohen për kontrollin dhe kalimin e qytetarëve për në shtetin grek dhe anasjelltas. Afro 200 mijë qytetarë kanë hyrë në Shqipëri nëpërmjet kësaj pike të kalimit kufitar që nga fillimi i muajit qershor deri më tani.
Në takim me përfaqësuesit e policisë kufitare greke, ministri Basha theksoi me rëndësi vijimin e bashkëpunimit dhe partneritetit për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve që në ditët në vijim do të rikthehen në vendet e tyre të punës.
“Ju kërkoj që të vazhdoni këtë bashkëpunim deri në përfundim të sezonit në mënyrë që edhe kthimi i emigrantëve shqiptarë në Greqi të jetë sa më i qetë, sa më i lehtë”- u shpreh Basha.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Pikës së Kalimit Kufitar të Kristalopigjis, Greqi, Kostas Jançulis shprehu gatishmërinë e policisë kufitare greke për të bashkëpunuar në këtë drejtim. “Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me palën shqiptare. Unë jam nga më të vjetrit në këtë pikë dhe bashkëpunimi këtë vit ka qenë më i mirë se asnjëherë më parë pasi tani dhe procedurat e kalimit i kemi të njëjta. Një ndihmesë të madhe kanë dhënë edhe pasaportat e reja biometrike”- tha përfaqësuesi i palës greke.
Në takimin me drejtuesit e strukturave policore të Qarkut Korçë, ministri Basha vlerësoi faktin se falë masave të ndërmarra është garantuar rendi e qetësia gjatë sezonit turistik e po kështu janë arritur rezultate në drejtim të parandalimit, zbulimit dhe goditjes së veprave penale.
Një rëndësi të veçantë në takim ministri Basha i kushtoi masave të marra për sigurinë në qarkullimin rrugor, gjë për të cilën kërkoi zero tolerancë ndaj shkeljeve dhe zbatim rigoroz të normave ekzistuese në mungesë të Kodit të ri Rrugor i cili përmban masa më të ashpra.
“Fatkeqësisht nuk u arrit që të miratoheshin ndryshimet në Kodin Rrugor, megjithatë struktura e re, mjetet që janë vënë në dispozicion kanë përgjegjësinë e plotë që nëpërmjet një qëndrimi thellësisht rigoroz të parandalojnë dhe godasin çdo shkelje në qarkullimin rrugor. Porosia është që me këto norma që kemi në zbatim dhe me këtë Kod Rrugor që kemi në zbatim, të dëshmohet zero tolerancë ndaj kundërvajtësve”, tha Basha.
Ministri i Brendshëm u njoh në takim edhe me rezultatet e punës së Policisë Kufitare, për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit, trafikut të narkotikëve apo të mallrave kontrabandë si dhe evidentimin dhe bllokimin e dhjetëra makinave të vjedhura, dokumenteve false e po kështu të ndalimit të personave në kërkim ku rasti më i freskët ishte para dy ditësh.
Basha kërkoi vëmendje maksimale për kontrollin e kufirit të gjelbër, ndërkohë u ndal edhe tek riorganizimi i burimeve njerëzore të Policisë Kufitare pas liberalizimit të vizave.
“Liberalizimi i vizave do të sjellë një lehtësim për sa i përket kalimit të paligjshëm të kufirit, por do të sjellë në të njëjtën kohë edhe një kapacitet të shtuar tuajin që deri në këtë kohë e keni përdorur për shkelësit e kufirit, i cili duhet vendosur në mënyrë të prerë në përforcimin e kufirit për sa i përket kontrabandës, trafikut të narkotikëve apo trafiqeve të tjera të paligjshme”, u shpreh ministri i Brendshëm.
Gjithashtu, ministri i Brendshëm Lulzim Basha kërkoi bashkëpunim maksimal mes të gjitha strukturave policore dhe përdorimin aktiv të informacionit kriminal që ofrohet nga sistemi MEMEX e po kështu të lidhjes me bazën e të dhënave të INTERPOL-it.