Deklarata e kryeministrit: Opozita, propagandë arkaike mes shpifjesh dhe trillimesh
Kryeministri i vendit Sali Berisha hedh akuza të ashpra në drejtim të Partisë Socialiste dhe opozitës në tërësi, nisur nga sulmet e përditshme të tyre, për të nxirë realitetin e Shqipërisë dhe punën voluminoze të qeverisë, për modernizimin dhe zhvillimin në çdo sektor këtë vend. Gjatë një vizite në qytetin e Korçës, ku mori pjesë në disa inaugurime, kreu i ekzekutivit garantoi vendosmërinë e qeverisë për të çuar përpara projektin domethënës, për integrimin e Shqipërisë. Berisha foli për rritje të ekonomisë, nivel të lartë investimesh të huaja dhe një klimë mjaft të përmirësuar për zhvillimin e biznesit, ndërsa nuk la pa përmendur sulmet e opozitës, të cilat i konsideroi si një propagandë të qëllimshme për nxirjen e imazhit të vendit.
“Sot në dritën e gjithë këtyre zhvillimeve, arkaike e vjetër e pa papranueshme tingëllon propaganda e përditshme e shpifjeve e trillimeve e nxirjes së opozitës. Zotërinjtë e opozitës, pak ditë më parë shtronin pyetjen, mos po i sjell ti Sali këta turist në Shqipëri? Në Shqipëri turistët po i sjell Shqipëria, por qytetarët shqiptarë dhe qeveria shqiptare e bëri Shqipërinë magnet për ta. Kjo është ajo që bëmë ne, se Shqipëria këtu ka qenë edhe pesë vite më parë dhe 500 vite më parë, por ne e bëmë këtë së bashku. Në mënyrë të përsëritur më thonë qytetarët se u ndryshua Shqipëria pse thua se ‘Shqipëria po ndryshon’, vërtet është ndryshuar po edhe më shumë do ta ndryshojmë dhe e bëjmë këtë, për veten tonë për fëmijët tanë, por edhe për një shenjë respekti dhe mirënjohje për paraardhësit tanë, të cilët nuk panë për gjysmë shekulli një ditë të bardhë. Ky është shpërblimi më i madh që bëjmë ne edhe për ta”, u shpreh kryeministri Berisha.
Pavarësisht qëndrimit të klikës opozitare, Berisha premtoi angazhim dinjitoz të qeverisë, për të përmbushur premtimet para shqiptarëve.
“Jam sot këtu prapë për t’ju garantuar ju se investimet në mbarë Shqipërinë do të vazhdojnë me intensitetit më të madh se bashkërisht do ta bëjmë Shqipërinë edhe më të bukur, edhe më të këndshme për të jetuar, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për miqtë e tyre kudo në botë”, tha ndër të tjera kryeministri Sali Berisha.