E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapërcehet e keqja – qeveria, buxhet të posaçëm për të kompensuar dëmet

Një ditë pas ngjarjes tragjike në Gërdec, kryeministri Berisha deklaroi se qeveria do të marrë masa për kompensimin e dëmeve madhore që shkaktoi kjo tragjedi. Sipas kreut të qeverisë dëmet janë kolosale, pasi janë rrafshuar ose bërë të pabanueshme objekte banimi si shtëpi, por edhe objekte biznesi dhe fabrika. “Po shkojnë paralelisht dy operacione, ai i shpëtim - kërkimit dhe operacioni i çminimit apo i pastrimit të zonës. Të dy operacionet janë shumë të rëndësishëm. Është rikthyer energjia në Marikaj, po rikthehet energjia në Marqinet, nuk rikthehet dot në fshatin e fatkeqësisë, sepse postblloku nuk lejon, për shkak të rrezikut që ka zona, që punonjësit e KESH-it të punojnë në atë zonë. Sapo të pastrohet zona, qeveria do të marrë të gjitha vendimet ligjore për zonën e fatkeqësisë, që do të thotë që shteti do të marrë përsipër të gjithë kapërcimin e pasojave të saj”, tha Berisha. Në këtë drejtim, kreu i qeverisë theksoi se Shtabi i Emergjencës ka bërë një bilanc paraprak të dëmit material, i cili është shumë i madh. “Janë 318 shtëpi të rrënuara tërësisht. Unë vizitova disa prej tyre në fshatin më të goditur. 188 të tjera janë me dëmtime të rënda, mbi 200 me dëmtime të mesme dhe 1600 me dëmtime të lehta. Objektet janë shtëpi banimi, biznese dhe fabrika. Shkatërrimet kanë qenë shumë të mëdha në fshatin Gërdec dhe në fshatrat përreth”, tha Berisha. Sipas kreu të qeverisë, autoritetet vendore, kryetari dhe Këshilli Bashkiak i Vorës, kryetari i Qarkut dhe prefekti janë të gjithë të instaluar në Shtabin e Vorës dhe po ndjekin situatën. “Në të gjithë këtë përpjekje, problem të veçantë përbëjnë ata që nuk kanë strehë. Unë vizitova banorët e vendosur në dy konvalishencat, në Durrës. Ata kishin aty një kujdes të plotë njerëzor, mjekësor dhe të gjithanshëm. Unë ftoj të gjithë banorët e atyre zonave, të cilët mund të jenë të vendosur tek familjarë e të afërm të tyre, të paraqiten më mirë në ambientet e strehimit Durrës, sepse aty u garantohen të gjitha llojet e shërbimit që ata kanë nevojë, për të kapërcyer këtë traumë të madhe që kanë përjetuar. Gjithashtu ka një solidaritet të madh qytetar”, theksoi më tej Berisha. Lidhur me kontributet që mund të bëjnë qytetarët dhe bizneset, për të ndihmua sado pak për këtë tragjedi, për të ndihmuar zonën e fatkeqësisë, kryeministri Berisha tha se “ne u jemi shumë mirënjohës”. “Shtabi i Emergjencës do të publikojë një numër llogarie, ku kushdo mund të japë kontributin e tij”, u shpreh kreu i qeverisë Berisha. Ndërkaq, përse i takon, çminimit të zonës, Berisha tha se, në zonën e rrezikut, krahas njësive tona dhe bashkë me ta punojnë për çminimin njësi amerikane dhe së shpejti do të bashkohen me ta edhe njësi daneze dhe norvegjeze, të cilave u shpreh falënderimet. Ndërsa për dëmet në njerëz, kryeministri Berisha ka informuar se në spitale ndodhen 57 të sëmurë. “Në tërësi të shtruarit në spital nuk janë në rrezik për jetën, por 8 prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe presin të nisen për kurim në Itali. Për shkak të një defekti në avion u shty nisja e tyre dhe pritet që të nisen. 5 të sëmurë janë nisur për në Greqi dhe 4 të tjerë janë nisur për në Itali. Në spitale nuk mungon asgjë për mjekimin e tyre. Unë vizitova të sëmurët në spitalin Ushtarak dhe në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” dhe gjeta tek mjekët një gatishmëri të plotë dhe të gjithë mjetet e duhura për trajtimin e të sëmurëve. Së dyti, thellohet bilanci i viktimave”, bëri të ditur Berisha. Duke informuar më tej, ai bëri të ditur se gjatë operacionit të kërkim shpëtimit në vendin ku ka qenë fabrika janë gjetur trupat e tre punonjësve të tjerë. “Në rrënojat e shtëpisë, e cila ka qenë më afër me të, është gjetur edhe trupi i një gruaje të vdekur. Njësitë e ushtrisë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë RENEA ndodhen tani në zonën e kraterit, ku ka ndodhur shpëtimi dhe po kërkojnë për viktima të tjera. Nga apeli i bërë, bazuar në listën që përgjegjësi i turnit të fabrikës ka dorëzuar pranë Shtabit të Emergjencës, mungojnë 9 persona. Nuk është e qartë nëse 6 trupat e paidentifikuar janë apo jo të këtyre personave. Unë takova 4 familjarë, të cilët kërkonin njerëzit e tyre, dy prej të cilëve ishin në listën e të humburve, ndërsa dy të tjerë nuk ndodheshin në listën e të humburve. Po bëhen verifikimet e mëtejshme”, shtoi Berisha. Ndërkohë, përveç qindra forcave të angazhuara në operacionin e kërkim- shpëtimit, janë edhe 500 forca të tjera të specializuara, të cilat po merren me pastrimin e zonës nga predhat e pashpërthyera që janë shpërndarë në zonën e fatkeqësisë. Sërish solidaritet dhe ndihmë kanë ofruar qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila pret nga Shtabi i Emergjencës kërkesat, nga Franca që ka përgatitur dy avionë për t’i nisur, Gjermania, Italia, e cila ka marrë dhe po transporton një pjesë të të sëmurëve rëndë, si edhe në ndihma mjekësore, po kështu nga Greqia që ka tërhequr për kurim 5 të sëmurë, Turqia, Danimarka, Norvegjia, Spanja, Zvicra, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe shumë vende të tjera, organizata ndërkombëtare e biznese të mëdha, të cilëve ne u jemi shumë mirënjohës. Gjithashtu, Berisha ka theksuar se kjo ngjarje nuk mund të pengojë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pasi e njëjta ngjarje ka ndodhur edhe në vende të zhvilluara. “Aleanca e Atlantikut të Veriut e di se Shqipëria ka një problem shumë serioz me municionin kolosal dhe të vjetruar që disponon dhe është duke na ndihmuar aktivisht. Vetëm gjatë pranverës dhe verës që kaloi ne kemi shkatërruar me mijëra e mijëra ton silurë, mina detare e armatime të tjera, me të cilat bregu shqiptar ishte pothuajse i minuar me to.
 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›