E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: PR, jashtë qeverisë

Republikanët do të përfaqësohen në qeveri vetëm me dy zv/ministra dhe jo me ministra derisa të zbardhet e vërteta mbi hetimin e ngjarjes së ndodhur në fshatin Gërdec. Ky është qëndrimi i republikanëve i bërë publik nga presidenti i asamblesë së PR-së, Sabri Godo. Në një intervistë për "Shqip", Godo ka pranuar se deri në përfundim të hetimeve të Gërdecit, republikanët nuk do të përfaqësohen me ministër në qeveri, por vetëm me dy zëvendësministrat Aleksandër Garuli dhe Neritan Alibali. "Nuk do të përfaqësohemi me ministra në qeveri deri në përfundim të hetimeve", tha Godo.

Zoti Godo, çfarë masash duhen marrë për të nxjerrë shkaktarët e vërtetë të tragjedisë së Gërdecit? Cili është roli i qeverisë në këtë çështje?

Unë pajtohem me mendimin e përgjithshëm. Një gjëmë e madhe na ka rënë mbi krye të gjithëve. Nuk është plagë që mund të mbyllet me disa ditë. Mijëra njerëz kanë parë në Gërdec vdekjen nga afër. Kemi gjithsej 300 të plagosur nëpër këmbë që do të mbartin për një kohë të gjatë gjurmët e Gërdecit. Kjo plagë do kohë të shërohet dhe do një punë të përkushtueshme që të hetohet.

Ajo çka sugjeroj unë, është që fillimisht të pastrohet rrënjësisht toka. Qeveria deri më sot ka treguar se ka vullnet t‘i bëjë, sesa efiçente do të jetë në pakësimin dhe zhdukjen e pasojave. Në tri-katër ditët e para qeveria dhe ministrat e saj kanë përqendruar të gjitha fuqitë e veta në zonën e dëmtuar për të parandaluar dhe pakësuar dëmtimet dhe më pas për të bërë bilancin e pasojave. Lind pyetja nëse do të jemi apo jo të zotët të përballojmë emergjencat dhe a kemi zotësinë për t‘i parandaluar ato. Ajo që duhet bërë tashmë e tutje në vazhdim është mbikëqyrja e depove të karburantit, depot e gazit. Ato duhet të jenë të vendosura në vendet e pabanuara që të mos përsëriten raste të tilla si i Gërdecit, por edhe rasti i Lezhës. Rreziku ekziston. Qeveria duhet të krijojë një organizëm për të parandaluar këto çështje. Duhet krijuar Komisioni Shtetëror për Mbrojtjen e Popullsisë.

Cilat do të jenë konkretisht etapat që duhet të ndiqen për të nxjerrë përgjegjësit e kësaj tragjedie? Çfarë duhet të bëjnë organet kompetente?

Mund të them se hetimi mund të jetë i ndërlikuar, megjithatë ngjarja e Gërdecit duket sheshit. Ajo që vlen të theksohet është fakti që përgjegjësia asnjëherë nuk mund të jetë e një personi të vetëm. Për këtë gjë duhet të angazhohen organet kompetente. Duhet të punojnë organet e hetimit dhe të mos pengohen nga politika për këtë çështje. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me ndonjë tender, ashtu si në rastet e tjera, por me jetë njerëzish dhe me një tragjedi që preku të gjithë shqiptarët.

Vetëm dy javë na ndajnë nga Samiti i Bukureshtit dhe vendi ynë është pa një ministër të Mbrojtjes. Mendoni se Shqipëria do të kërkojë anëtarësimin në NATO duke u përfaqësuar me një zv/ministër në Bukuresht?

Kryeministri Berisha është duke menduar për këtë. Gjithsesi, përfaqësimi ynë në Bukuresht në prill nuk është deciziv. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dalë hapur dhe në mbështetje të plotë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kështu që kjo çështje nuk përbën ndonjë problem. Kryeministri do e gjejë në kohë ministrin e ri për të cilin ka nisur edhe negociatat. Jam i sigurt se do të gjendet një zgjidhje.

Zoti Godo, emri juaj deri në këto momente është lakuar si më i përshtatshmi për të qenë në krye të republikanëve duke ju konsideruar edhe si një figurë të duhur për vendin e ministrit të Mbrojtjes. Si i gjykoni këto vlerësime?

Partia Republikane nuk e shtron fare zëvendësimin e Fatmir Mediut. Ai do të vazhdojë të qëndrojë në krye të Partisë Republikane. Fatmir Mediu është i pafajshëm, për aq kohë sa fajësia e tij nuk është provuar nga ndonjë gjykatë. Ne nuk mund t‘i paragjykojmë njerëzit. Me aktin e dorëheqjes nga Ministria e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, tregoi se ka një përgjegjësi morale lidhur me këtë çështje. Për të treguar se është i lirë të hetohet mbi këtë çështje, Mediu hoqi dorë edhe nga imuniteti. Kryetari i Partisë Republikane ka shkuar për të dëshmuar sot në prokurori, çka tregon se ai nuk trembet nga e vërteta e kësaj ngjarjeje. Mendoj se do të ishte e padrejtë që të paragjykojmë kryetarin Mediu për aq kohë sa fajtorët ende nuk kanë dalë nga prokuroria.

Partia Republikane do të vazhdojë të jetë në qeveri me Ministrinë e Mbrojtjes, do të përfaqësohet me ndonjë ministri tjetër apo do të ketë një zgjidhje tjetër?

Unë mendoj se nuk do të jetë as e para dhe as e dyta. Do të ketë një zgjidhje të tretë. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në koalicion me dy zv/ministrat që kemi dhe për momentin mendojmë se nuk e kemi të domosdoshme për momentin një vend në kabinet. Ajo çka do të bëjmë ne republikanët është vetëm të presim rezultatin e përfundimit të hetimeve. Ky do të jetë edhe propozimi im që do të bëjë në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Republikane ditën e premte, me të cilin jam i bindur se do të bashkohet edhe e gjithë Partia Republikane.

Mendoni se largimi i ministrit Mediu ishte i vetmi ndryshim që i duhej bërë qeverisë "Berisha" dhe a do të ketë një riformatim rrënjësor të kabinetit para ose pas Samitit të Bukureshtit?

Nuk është momenti i duhur të flasim për ndryshime në qeveri. Ndryshimet do të bëhen pas 5 prillit. Ngjarja e ndodhur në Gërdec krijoi domosdoshmërinë e ndryshimeve në qeveri, por ato do të bëhen pas Samitit të Bukureshtit.

Krerët e shtetit janë takuar në Tiranë me ministren e Jashtme greke, Dora Bakojanis. Cilat çështje do të jenë në qendër të vëmendjes së kësaj vizite?

Kryeministri në këtë takim duhet të kërkojë mbështetjen e Shqipërisë në NATO, sidomos pas asaj që ndodhi në Gërdec. Përveç kësaj, një çështje tjetër që mendoj se do të shtrohet në tryezën e Kryeministrit dhe ministres së Jashtme greke, njohja e Kosovës si shtet nga pala greke. Këto mendoj unë se do të jenë çështjet që priten të bisedojnë Berisha dhe Bakojanis, për të tjerat i di Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›