Familjarët, lule në det në kujtim të viktimave të Otrantos
Vlorë – Është përkujtuar dje në Vlorë tragjedia e Otrantos, që ndodhi 12 vjet më parë, kur 84 persona humbën jetën duke shkuar në Itali me gomone. Familjarët dhe të afërmit e tyre, por edhe dhjetëra qytetarë të Vlorës, janë drejtuar për nga deti duke hedhur buqeta me lule në kujtim të atyre që humbën jetën natën e 28 marsit të vitit 1997, atëherë kur vendi ishte përfshirë nga trazira të mëdha dhe shumë të rinj kërkonin një jetë më të mirë larg vendit. Më pas, kortezhi mortor ka zhvilluar një ceremoni në varrezat e qytetit, ku prehen eshtrat e viktimave. Më e rëndë ka qenë për 24 familjet e njerëzve që u zhdukën në det. Edhe pse u kërkuan për muaj me radhë, trupat e këtyre 24 njerëzve nuk u gjetën kurrë. Rreth orës 15:00 të 28 marsit, 115 njerëz nga Fieri dhe Vlora, më shumë të rinj, u ngjitën në bordin e anijes “I katërti i Radës” dhe lanë Portin e Vlorës për në drejtim të Italisë. Anija ishte e tejmbushur me gra e fëmijë dhe udhëtimi i tyre ka qenë i qetë për rreth dy orë e gjysmë. Në det të hapur, ata janë pikasur nga anijet e ushtrisë italiane, “Sibila” dhe “Zeffira”. Personeli i dy anijeve u kanë bërë thirrje emigrantëve që të kthehen, por “I katërti i Radës” ka vazhduar rrugën e tij, gjë që më pas ka shkaktuar edhe ngjarjen e rëndë. Për gjashtë minuta, anija shqiptare është zhdukur në fundin e detit duke marrë me vete edhe shumë nga udhëtarët e saj të pafat. Vetëm 34 njerëz arritën të ngjiteshin në bordin e anijes italiane dhe të shpëtonin.
30 Mars 2009