Strategjia e ISSH-së, sa do të rriten pensionet për tre vitet e ardhshme
Jonida Tashi
Instituti i Sigurimeve Shoqërore zbardh strategjinë e rritjes së pensioneve duke filluar nga 2009-a deri në vitin 2012. Sipas strategjisë së hartuar nga ekspertët e qeverisë dhe ata të pensioneve, rritja e pensioneve në rang vendi për tre vitet e ardhshme do të jetë në vlerë mesatare rreth 12 për qind më shumë sesa masa aktuale e kësaj pagese. Përveç përcaktimit të masës për rritjen e pensioneve, ekspertët kanë parashikuar që brenda kësaj rritjeje të ketë diferencime ndërmjet kategorive përfituese, të cilat do të zbatohen sipas ndarjes klasike të pensioneve në ato të fshatit dhe qytetit. Kështu, edhe për tre vitet e ardhshme masa e rritjes do të jetë në favor të pensioneve minimale. Kategoritë që duke filluar nga viti i shkuar e deri në 2012-n, që do të plotësojnë kriteret e daljes në pension, përveç kësaj rritjeje do të jenë dhe përfitues të masave të akorduara më parë sipas periudhave përkatëse.
Kategoritë
Megjithëse për tre vitet e ardhshme është parashikuar që rritja e pensioneve të bëhet në vlerë standarde, sërish do të ketë diferencime në masën e rritjes ndërmjet pensioneve minimale dhe atyre maksimale. Kështu, çdo vit pensionet e fshatit do të rriten më shumë se ato të qytetit. E gjitha kjo bëhet me qëllim që në të ardhmen të arrihet të barazohet niveli i këtyre dy kategorive të përfitimeve të pleqërisë. Në bazë të kësaj skeme do të vijohet edhe për rritjet e 2009-2012-s. Kategoritë që duke filluar nga viti në të cilin ndodhemi, si dhe ato që do të dalin në pension në tre vitet e ardhshme, përveç rritjes së përcaktuar nga strategjia përkatëse do të përfitojnë masat aktuale të pensioneve të cilat përfshijnë rritjet e vazhdueshme që janë bërë gjatë viteve të fundit, plus rritjen e re që do të bëhet në tre vitet e ardhshme sipas strategjisë së përcaktuar më lart. Përkundrejt këtyre rritjeve, edhe në vitet e ardhshme, masës së pensionit dhe shtesës që do bëhet gradualisht do t’u shtohen edhe kompensimet e energjisë si dhe kompensimet e përfituara me vendime të veçanta të qeverisë. Në këtë drejtim, rritja e pensioneve, përveç shtimit të të ardhurave personale të vetë pensionistëve, ka si qëllim që t’u jepet një hapësirë të gjitha kategorive të pensioneve për t’u rritur, në mënyrë që të mos ulet interesi për kontributet e pensioneve të diferencuara.
Mosha
Përkrah rritjes së masës së përfitimit, gjatë këtyre viteve ndryshime do të pësojnë mosha e daljes në pension si dhe periudha e sigurimit që duhet të plotësojë secila prej kategorive që do të trajtohet me pension, si ata që kanë vite në skemë, ashtu dhe përfituesit më të rinj të skemës. Ndryshimet e moshës dhe periudhës së sigurimeve do të synojnë rritje deri në 2012-n, edhe kjo e diferencuar sipas kategorive në të cilën bëjnë pjesë përfituesit. Për burrat mosha e daljes në pension, duke filluar nga 1 korriku 2009, për punët e kategorisë së parë do të jetë rreth 58 vjeç si dhe vjetërsia e punës, përkatësisht me 30 vite të njohura. Ndërsa për punët e kategorisë së dytë mosha e daljes në pension do të jetë 63 vjeç dhe 35 vite punë të siguruara, për kategorinë e tretë periudha e sigurimeve do të jetë po e njëjta, ndërsa mosha e daljes në pension do të pësojë një rritje me 1 vit (dalja në pension në moshën 64 vjeç).
Po e njëjta skemë do të ndiqet edhe për gratë, të cilat në tre vitet e ardhshme, sipas kategorizimit të profesioneve, do t’u shtohet dhe mosha e daljes në pension sipas tabelës përkatëse me 1 deri në 2 vite më shumë. Kjo e fundit do të shoqërohet dhe më të njëjtin model shtimi të viteve të sigurimit që duhen për t’u trajtuar me pension.
Reformat që rekomandohen për skemën e sigurimeve shoqërore
Rishikimi i mundësisë të rritjes së moshës së pensionit të pleqërisë
Rishikimi i mundësisë së uljes së ngarkesës tatimore që paguajnë punëdhënësit e punëmarrësit në favor të sigurimeve shoqërore
Afrimi gradual dhe njësimi i pensioneve të fshatit me nivelin e qytetit
Plotësimi i skemës ekzistuese të pensioneve me kolonat e dyta dhe të treta
Mundësitë e rritjes së kufirit maksimal të pagave dhe pensioneve për llogaritjen e kontributeve dhe përfitimeve
Rritja e kufirit maksimal të pagës së tatueshme për efekt të llogaritjes së kontributeve, e kombinuar edhe me ndryshimin e madhësisë së pensionit maksimal
MOSHA DHE PERIUDHA E SIGURIMIT QË KËRKOHET NË
VITE PËR SEICILËN KATEGORI
BURRI
Kategoria
I Kategoria
II Kategoria
III
Vitet Mosha Vjetërsia e punes Mosha Vjetërsia e punes Mosha Vjetërsia e punes
01.07.2009 - 30.06.2010 58 30 63v 35 64v 35
01.07.2010 - 30.06.2011 58 31 63v 6m 35 64v 6m 35
01.07.2011 - 30.06.2012 59 32 64v 35 65v 35
01.07.2012 - 30.06.2013 59 33 64v 6m 35
01.07.2013 - 30.06.2014 60 34 65v 35
GRUAJA
Kategoria
I Kategoria
II Kategoria
III
Vitet Mosha Vjetërsia e punës Mosha Vjetërsia e punës mosha Vjetërsia e punës
01.07.2009 - 30.06.2010 53 30 58v 35 59v 35
01.07.2010 - 30.06.2011 53 31 58v 6m 35 59v 6m 35
01.07.2011 - 30.06.2012 54 32 59v 35 60v 35
01.07.2012 - 30.06.2013 54 33 59v 6m 35
01.07.2013 - 30.06.2014 55 34 60v 35
30 Mars 2009