E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bien depozitat në banka, pritet krizë likuiditetesh

Rikthehen ditët e vështira për bankat, pas një revanshi 6-mujor me depozitat. Pas një rritjeje të konsiderueshme në pjesën e parë të vitit, sistemi bankar po vëren shenjat e fundvitit, kur u tërhoqën nga paniku rreth 16 miliardë lekë. Në muajin qershor, Banka e Shqipërisë raporton për një rënie të kursimeve, me rreth 2.4 miliardë lekë. Konkretisht, në fund të muajit qershor depozitat në bankat shqiptare ranë në 611.8 miliardë lekë nga 614.2 që ishin në fund të majit. Të dhënat tregojnë se tkurrja ka ardhur e gjitha nga depozitat në valutë, të cilat kanë rënë me 6.1 miliardë lekë në muajin qershor ose më shumë se 2.3 për qind brenda një muaji. Ndërsa ato në lekë janë rritur me rreth 3.5 miliardë lekë. Megjithatë, Banka e Shqipërisë e shpjegon rënien e depozitave me efektin e kursit të këmbimit, dhe kryesisht zhvlerësimit të euros ndaj lekut, e cila sipas kursit zyrtar në qershor ka qenë 1.3 për qind.

Disa ekspertë e lidhin këtë rënie të depozitave me faktin se qershori ishte muaji i zgjedhjeve, çka mund të ketë ndikuar edhe vendimet e biznesit dhe individëve se si duhet t‘i administrojnë kursimet e tyre.

Por disa ekspertë të tjerë thonë se, pavarësisht zgjedhjeve apo faktorëve të tjerë të rastësishëm, kthimi i depozitave në sistemin bankar po rezulton i ngadaltë, çka paralajmëron se sfida më e madhe e ekonomisë shqiptare në të ardhmen do të jetë mungesa e likuiditetit dhe fondeve të lira për të financuar konsumin dhe investimet në ekonomi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›