E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Jemi të vendosur për të qenë aleatë të denjë

Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha i kanë dërguar dje mesazhet e urimit sekretarit të ri të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Në mesazhin e tij, Presidenti Topi shkruan: "Populli shqiptar dhe Shqipëria, anëtare më e re e kësaj Aleance, janë të vendosur të kontribuojnë maksimalisht për arritjen e vlerave dhe objektivave të përbashkëta në mbrojtje të lirisë, paqes dhe stabilitetit afatgjatë, rajonal e global dhe të përgjegjshëm për të qenë aleatë të denjë e miq të sigurt të të gjitha vendeve anëtare të NATO-s". Në po të njëjtën linjë ka qëndruar edhe kreu i qeverisë, i cili shkruan se Shqipëria do të jetë në çdo moment pranë NATO-s. "Kam kënaqësinë e veçantë, që me rastin e fillimit të detyrës si sekretar i përgjithshëm i NATO-s, t‘ju dërgoj, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, përshëndetjet më të përzemërta e miqësore, si edhe urimet më të mira për suksese në këtë detyrë të lartë e jashtëzakonisht të rëndësishme", thuhet në mesazhin e Kryeministrit Berisha. Kreu i shtetit dhe numri një i qeverisë, i kanë dërguar mesazh falënderimi për bashkëpunimin dhe përmbylljen e misionit të tij edhe ish-sekretarit të përgjithshëm Jaap de Hoop Scheffer:

"Shqiptarët do t‘ju kujtojnë përherë si mikun e madh e të shquar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, që si sekretar i përgjithshëm u ndodh në timonin e Aleancës, mbështeti fuqishëm dhe pa realizimin e ëndrrës së kombit për rikthim në familjen euroatlantike, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por edhe ngjarjen tjetër madhore për kombin tim dhe për paqen e sigurinë në Ballkan, pavarësimin e Kosovës", shprehet në letrën e tij, Kryeministri Berisha.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›