E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ shpall rezultatin zyrtar, PS: Nuk e njohim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur përfundimisht dje "odisenë" e zgjedhjeve, duke certifikuar zyrtarisht rezultatin e tyre. Ndryshe nga sa ka ndodhur deri më tani, rezultati është miratuar me 7 vota pro dhe asnjë kundër, duke shënuar kështu një etapë të re për demokracinë në vend. Vendimi i KQZ-së është shpallur zyrtarisht pasi u shpreh edhe Kolegji Zgjedhor për ankimimet e bëra nga subjektet politike. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, ka deklaruar pas shpalljes së rezultatit zyrtar, se procesi zgjedhor i 28 qershorit ka qenë i ndershëm, i barabartë dhe i lirë për të gjithë shqiptarët. Sipas Ristanit, "veprimtaria e KQZ-së, e shprehur kjo në disa qindra vendime, është kontestuar shumë pak për të cenuar vendimmarrjen e KQZ-së". Sipas tij, i gjithë procesi është zhvilluar me transparencë të plotë në krahasim me gjithë zgjedhjet e bëra në Shqipëri gjatë pluralizmit. Ai tha se standardet kryesore janë ato që kanë të bëjnë me lirinë e zgjedhjeve, me ndershmërinë e tyre, me barazinë e tyre dhe unë mendoj se këto janë absolutisht të arritura. Me gjithë arritjet dhe faktin se shumë pak nga vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u ankimuan dhe u hodhën poshtë nga Kolegji Zgjedhor, për Ristanin procesi nuk mundi t‘u shpëtojë problemeve. Duke evidentuar disa nga këto probleme, ai theksoi gjatë konferencës për shtyp, se "bashkëpunimi me pushtetin vendor rezultoi jo frutdhënës. Kërkohet prej tyre një angazhim më i madh dhe përgjegjësi maksimale për realizimin e detyrimeve që u ngarkon Kodi Zgjedhor. Subjektet zgjedhore i propozuan me shumë vonesë anëtarët e komisioneve zgjedhore dhe për rrjedhim trajnimi i tyre, në disa raste, ishte i mangët ose nuk u arrit të zhvillohej. Disa vende të votimit dhe të numërimit të votave mund të ishin përzgjedhur më mirë dhe në kohën e duhur. Procesi i numërimit të votave u vonua më tepër se sa parashikohej. Në këtë drejtim besojmë se ka vend për ndonjë ndryshim tjetër të mundshëm ligjor". Në fund, Ristani duke konfirmuar edhe njëherë zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, theksoi se koalicioni i djathtë "Aleanca e Ndryshimit", i kryesuar nga Partia Demokratike, ka siguruar 70 mandate, koalicioni i majtë "Bashkimi për Ndryshim", i udhëhequr nga koalicioni i Partisë Socialiste ka marrë 66 mandate, ndërsa koalicioni "Aleanca Socialiste për Integrim", i drejtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, ka marrë 4 mandate. Por puna e KQZ-së nuk ka vajtuar kaq fjollë sa duket, anëtarët e saj janë përfshirë disa herë në debate të ashpra mes njëri-tjetrin për mënyrën e vlerësimit të ankesave të partive apo për mënyrën e administrimit të procesit zgjedhor. Pas shpalljes së rezultatit përfundimtar, KQZ-ja mbetet në pritje të raportit të ndërkombëtarëve, të cilët do të bëjnë si vlerësimin e zgjedhjeve të 28 qershorit ashtu edhe të punës së KQZ-së. Deri atëherë, si partitë edhe KQZ-ja mbeten në pritje, ndërkohë që PD-ja dhe LSI-ja, që tashmë kanë zyrtarizuar bashkëpunimin e tyre në një koalicion të përbashkët, duhet të nisin punën për krijimin e kabinetit të ri zgjedhor.

PS: Nuk do të njohim rezultatin e zgjedhjeve

Disa minuta pasi KQZ-ja ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, selia rozë ka konfirmuar qëndrimin e saj se nuk do ta njohë këtë rezultat. Kjo deklaratë është bërë nëpërmjet përfaqësuesit ligjor të PS-së, Genc Gjonçaj, i cili ka theksuar se PS-ja do të vazhdojë betejën ligjore dhe politike për këto zgjedhje, betejë e cila do të vazhdojë edhe jashtë Shqipërisë. Para mediave, përfaqësuesi ligjor i PS-së, Gjonçaj, ka deklaruar se "KQZ-ja i vuri vulën një procesi totalisht të deformuar, proces që u karakterizua nga standarde të një demokracie të munguar, ku pushteti vendos fituesin, pavarësisht vullnetit dhe votës së qytetarit". Sipas PS-së, "i gjithë procesi zgjedhor, i plotësuar dhe me procesin e numërimit e ankimimit, nëpërmjet standardit të dyfishtë në gjykim, mposhtjes përpara presionit politik dhe vënies së ligjit në shërbim të politikës së mbrapshtë, prodhoi një rezultat të dyshimtë dhe larg shprehjes së qartë të vullnetit të votuesit shqiptar". Për selinë rozë, KQZ-ja u shndërrua në një repart sulmi ndaj të drejtës legjitime dhe kushtetuese të barazisë së votës, numërimit e rinumërimit korrekt të saj dhe transparencës së procesit. Gjonçaj tha se KQZ-ja certifikoi një proces që do të konsiderohet sot dhe nesër i manipuluar e që për rrjedhojë paracenon që në fillim legjitimitetin e cilitdo institucioni që do të pasqyrojë këtë rezultat dhe moralin e cilitdo institucioni, duke nisur që nga qeveria e nesërme. "PS-ja ka denoncuar publikisht në mënyrë të përsëritur me fakte dhe argumente tashmë të njohura faktin që ky Komision Qendror i Zgjedhjeve nuk mundi të luante rolin e arbitrit për zgjedhjet e qershorit, pasi shumica vendimmarrëse e tij shërbeu si një celulë politike në funksion të PD-së", ka deklaruar përfaqësuesi i juridik i PS-së në KQZ, Gjonçaj. Ky komision, tha Gjonçaj, pati vendimmarrje të ndryshme për çështje të njëjta gjatë proceseve të numërimit e ankimimeve dhe kjo, sipas tij, një karakteristikë e punës së KQZ-së, vendimmarrje e ndryshuar jo rrallë edhe brenda një seance në funksion të urdhrave politikë të përcjella jo rrallë edhe publikisht nga përfaqësuesit e qeverisë. "PS-ja nuk do të njohë asnjë rezultat të deformuar zgjedhor, sepse ajo nuk mund të pranojë deformimin e nesërm të të gjitha institucioneve derivuese nga vota e shqiptarëve", tha Gjonçaj, duke theksuar se PS-ja ka identifikuar rrugët dhe mjetet politike e ligjore, brenda dhe jashtë vendit për ta vazhduar këtë betejë, e cila nuk është thjesht beteja e një partie politike, të cilës korrupsioni politik qeverisës i ka grabitur votat dhe për më tepër nuk i ka lejuar transparencën e kërkuar për votat e marra nga qytetarët e ndershëm të këtij vendi, por është një betejë për të vërtetën, një betejë për Shqipërinë europiane, një betejë për fatet e demokracisë së nesërme në vend.

PD: PS të njohë rezultatin e zgjedhjeve

Partia Demokratike e ka cilësuar një arritje të madhe dhe një standard të ri votimin me unanimitet të KQZ-së për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve dhe i ka kërkuar PS-së të njohë rezultatin e tyre. Zëdhënësja e selisë blu, Egla Mhilli, tha dje se "KQZ-ja për herë të parë në 17 vitet e fundit, me një votim 7 me 0 miratoi rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit".

Sipas saj, votimi unanim nga 7 anëtarët e KQZ-së të propozuar nga i tërë spektri politik i vendit përbën një arritje të madhe dhe një standard të ri që nuk ka ekzistuar më parë në historikun e zgjedhjeve në Shqipëri. PD-ja, tha më tej zëdhënësja e saj, e vlerëson këtë votim konsensual si një dëshmi të fortë të pjekurisë demokratike të institucioneve përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve. "Ky votim është një dëshmi tjetër madhore dhe motiv i vërtetë për pranimin e rezultatit nga të gjitha forcat politike. Edi Rama duhet të frymëzohet nga fryma konsensuale dhe e bashkëpunimit luajal ndaj ligjit, e bashkëpunimit të mijëra komisionerëve në qendrat e votimit dhe numërimit të votave, frymë e cila u pasqyrua tërësisht edhe me votimin unanim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për 140 mandatet e dala nga zgjedhjet e 28 qershorit", tha Mhilli.

Rezultatet, asnjëherë në kohën e duhur

Publikimi i rezultatit zyrtar të zgjedhjeve në Shqipëri ka qenë gjithmonë një histori më vete. Megjithëse para datës së zgjedhjeve KQZ-ja premtonte gjithnjë se do ta shpallte rezultatin sipas afateve të përcaktuara me ligj, kjo ka mbetur vetëm një dëshirë e tyre, sepse asnjëherë nuk është arritur, pasi zgjedhjet nuk kanë plotësuar asnjëherë standardet e kërkuara.

Po t‘i hedhësh një sy të gjithë historikut të zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri nga viti 1991 deri më sot, do të hasësh gjithnjë e më shumë probleme dhe zvarritje nga njëri muaj në tjetrin. Në zgjedhjet e 22 marsit 1992, të cilat konsiderohen të parat demokratike, PD-së nuk iu desh shumë kohë për të nxjerrë rezultatin e tyre. Pothuajse brenda një jave shqiptarët u njohën me deputetët e rinj të Kuvendit, pjesa më e madhe e të cilëve vinin nga radhët e Partisë Demokratike. Po kështu një javë i është dashur KQZ-së të certifikojë edhe zgjedhjet e 26 majit 1996, kur përsëri PD-ja rezultoi shumicë fituese, porse zgjedhjet ishin më të kontestuarat e këtyre dy dekadave të fundit.

Ndërsa në zgjedhjet e parakohshme të 29 qershorit 1997, shqiptarët janë njohur me rezultatin e tyre në mes të muajit korrik, dhe këtë herë rezultati ishte në favor të PS-së. Pas zgjedhjeve, gjërat filluan të ndryshonin dhe pothuajse asnjëra forcë politike nuk e kishte shumë të lehtë dhe të sigurt fitoren, ndaj beteja për përfitimin e një mandati më pak apo më shumë nuk bëhej më në tribuna e foltore, por bash në komisionet e qendrave të votimit, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e më tej në gjykata. Për të marrë vesh rezultatin e zgjedhjeve të 24 qershorit 2001, të cilat u fituan nga PS-ja, shqiptarëve u janë dashur gati dy muaj, pasi rezultati final ka dalë më 21 gusht 2001. Në këto zgjedhje u interpretua vlefshmëria e disa mandateve në Gjykatën Kushtetuese.

Problemet e zgjedhjeve të vitit 2001, kur u aplikua për herë të parë edhe i ashtuquajturi "Dushk", sollën nevojën e ndryshimeve të rëndësishme në ligjin elektoral, që në fakt rezultuan ta komplikonin edhe më tej situatën. Odisenë e publikimit të rezultatit zyrtar të zgjedhjeve deri më tani e kryesojnë zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Janë dashur dy muaj për t‘u mësuar se kush ishin fituesit. Më 1 shtator 2005, shqiptarët mësuan zyrtarisht se zgjedhjet ishin fituar nga demokratët, të cilët riktheheshin në pushtet pas tetë vitesh opozitë. Këto zgjedhje do të mbahen mend edhe për marrjen në shqyrtim të mandateve nga Kolegji Zgjedhor më shumë se në çdo proces tjetër zgjedhor. Zgjedhjet që rezultojnë më të rregullta, ku rezultati është shpallur brenda çdo afati të parashikuar në Kodin Zgjedhor janë zgjedhjet e fundit, të 28 qershorit 2009. Ashtu siç kishte paralajmëruar, KQZ-ja ka shpallur rezultatin brenda një muaji, pasi kishin përfunduar të gjitha ankimimet e partive politike. KQZ-ja ka shpallur dje, më 1 gusht, rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, ku rezulton se PD-ja dhe partitë aleate të saj kanë marrë numrin më të madh të mandateve në Kuvend, e ndjekur nga koalicioni i PS-së me katër mandate më pak dhe nga koalicioni i LSI-së, me katër mandate gjithsej. Edhe pse vlerësohen nga shumëkush si zgjedhjet më të mira të realizuara ndonjëherë, ato të 28 qershorit 2009 u shoqëruan nga parregullsi të shumta, që sollën si rrjedhojë mosnjohjen nga Partia Socialiste. Por, nëse shqiptarët e kaluan provën për realizimin e zgjedhjeve sipas standardeve apo jo, kjo mbetet për t‘u parë në vjeshtë, kur ndërkombëtarët të bëjnë publik raportin përfundimtar të monitorimit të zgjedhjeve.

Neni 167

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve shpallet nga KQZ-ja jo më vonë se 5 ditë nga data e shpalljes së rezultatit për shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas pikës 7 të nenit 163 të këtij Kodi dhe pasi të kenë përfunduar procedurat e ankimit, sipas këtij Kodi

Zgjedhjet e 2005

Zgjedhjet që do të mbahen mend më shumë për zvarritjen e nxjerrjes së rezultatit zyrtar janë ato të 3 korrikut 2005. Rezultati i tyre ka dalë gati dy muaj e gjysmë më vonë dhe shumë mandate janë marrë me debate mes PD-së dhe PS-së në Kolegjin Zgjedhor dhe Gjykatën Kushtetuese

Zgjedhjet e ‘92 dhe ‘96

Rezultati i zgjedhjeve të para pluraliste të ‘92 dhe të ‘96 është bërë publik për shqiptarët gati një javë pas zhvillimit të tyre, pasi partitë e majta nuk kanë marrë pjesë në procesin e numërimit të votave, duke u lënë dorë të lirë komisionerëve të PD-së gjatë numërimit

ODIHR, kritika në raportet paraprake për punën e KQZ

Gjatë punës së tij, KQZ-ja ka marrë vlerësime dhe kritika nga dy raportet paraprake të OSBE-ODIHR-it në lidhje me ecurinë dhe administrimin që ky institucion i ka bërë procesit të zgjedhjeve. Në konkluzionet paraprake të publikuara një ditë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ndërkombëtarët thanë se KQZ-ja administron përgatitjet teknike të zgjedhjeve në mënyrë profesionale dhe përgjithësisht brenda afateve ligjore. Anëtarët e KQZ-së kanë mbajtur qëndrime të ndryshme për shumicën e çështjeve të kontestueshme dhe në KQZ shpesh është votuar në bazë të përkatësisë partie. Përfaqësuesit e dy partive kryesore kanë bërë shpesh deklarata politike, duke rritur tensionin e mbledhjeve. Në raport thuhet se miratimi nga KQZ i tabelës përmbledhëse të rezultatit të 12 qarqeve ka shkaktuar shumë debate, me mosmarrëveshje të përsëritura në lidhje me faktin nëse KQZ duhet t‘i numëronte në sallë kutitë që nuk ishin përfshirë në tabela nga KZAZ. Sipas ODIHR-it, KQZ-ja nuk ka pasur konsensus në miratimin e me shumë se gjysmës së tabelave përfundimtare të rezultateve zgjedhore. Ndërsa në raportin e ndërmjetëm, të botuar pak ditë pas zgjedhjeve, ODIHR theksonte se procesi i numërimit të votave u zvarrit dhe u karakterizua nga nivele të larta mosbesimi nga partitë politike. Vonesat në numërim provokuan tension mes partive, ndërsa në disa raste numërimi u bllokua përkohësisht.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›