E Diel, 1 Nëntor 2026

Helm në ajër, akuzë 10 pronarëve të gropave të gëlqeres në Krujë

 

TIRANE – Prokuroria e Krujës urdhëroi dje ndalimin në polici për dhjetë pronarë të puseve të prodhimit të gëlqeres, të cilët akuzohen për “ndotje të ajrit” tej normave të lejuara. Zyra e Prokurores së Përgjithshme, lajmëroi dje se Prokuroria e Krujës, ka filluar procedimin penal ndaj dhjetë personave dhe po heton disa të dyshuar të tjerë për veprën penale të “ndotjes së ajrit”, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal. “Prokuroria e Krujës, mbështetur nw nenin 280 tw K.Pr.Penale, dje më 4 shtator 2009, ka nisur kryesisht dhjetë procedime penale ndaj subjekteve, të cilët kanw ngritur kamina gëlqerore në Rrethin e Krujës, të cilët me aktivitetin e tyre shkaktojnë ndotje të larte të ajrit”, thanë burimet zyrtare nga organi qendror i akuzës. Sipas tyre, ky hetim i Prokurorisë është nisur nga situata problematike mjedisore e bërë prezent kohët e fundit edhe në mediat shqiptare. “Nisur nga fakti se ndotja e ajrit sjell ndryshim të cilësisë së ambientit, prishje të ekuilibrit të sistemit natyror, dhe më kryesorja është faktor që sjell dëmtime në shëndetin e banorëve të komunitetit të zonës dhe për shkak se parashikohet si vepër penale, Prokuroria e Krujës inicioi veprimet e duhura hetimore, për të bërë të mundur konstatimin e faktit penal dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës”, konfirmuan burimet e hetimit. Sipas prokurorisë, mësohet se procedimet penale janë iniciuar kryesisht pa denoncim, pasi u konstatua se subjekte të caktuara ushtronin aktivitet pa dokumentacionin e duhur ligjor dhe gjatë veprimtarisë së tyre shkaktonin ndotje tepër të lartë në ajër. “Gjate verifikimit në vendin e ngjarjes, u konstatua se në këto kamina (gropa) gëlqerore përdoreshin për lëndë djegëse dhe materiale si goma të përdorura makinash, sfungjerë dhe mbetje plastike, të cilat shkaktojnë një ndotje të lartë të ajrit nëpërmjet shkarkimit të blozës dhe gazrave helmuese”, tha kryeprokurori i Krujës Florian Bonjaku. Sipas tij, për shkak të përdorimit të lëndëve të kësaj natyre, ndotja në ajër rezulton të jetë disa herë tej normave të lejuara nga legjislacioni mjedisor. Lidhur me dhjetë procedimet penale të filluara janë kryer një sërë veprimesh hetimore si këqyrje e vendit të ngjarjes e shoqëruar me tabelën fotografike, si dhe sekuestrimi i lëndëve djegëse të përdorura për djegie, të cilat janë të ndaluara nga legjislacioni mjedisor shqiptar. Prokuroria tha se ka sekuestruar dhe vetë ambientet ku kryhej veprimtaria e kundërligjshme. Organi i akuzës tha se ka urdhëruar shoqërimin për në Komisariatin e Krujës për dhjetë persona, pronarë të gropave gëlqerore. Ata janë: Faik Vogli, Kujtim Baruni, Lutfi Stafa, Astrit Pelivani, Shkëlqim Skoti, Hasan Leka, Luan Patulli, Faik Xhepi, Bujar Babasi dhe Arjan Topçiu. Sipas Prokurorisë, gropat ndotëse ishin përqendruar në zonat e Krastës, Borizanës dhe Zaharisë në Krujë. “Të gjithë personat e ndaluar janë marrë nën hetim, për kryerjen e veprës penale të “ndotjes së ajrit”, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal”, tha Prokuroria. Sipas saj, veprimet operacionale për këtë çështje janë kryer gjatë mëngjesit të djeshëm. Organi i akuzës mësohet se në ndihmë ka thirrur edhe ekspertët e Institutit të Shëndetit dhe Higjienës në Tiranë, të cilët kanë konstatuar normat e larta të ndotjes së ajrit në këtë zonë.                        tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›