E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, pas Farkës hetim në Baldushk

Zgjerohet harta e komunave në periferi të Tiranës, ku dyshohet se ka pasur falsifikime dhe mbivendosje me pronat. 

Trazhgim Sokolaj

Pas hetimeve të filluara nga Prokuroria për abuzime me trojet në komunat e Farkës, Dajtit dhe Petrelës, Zyra Task-Force Antikorrupsion ka filluar hetimet për episode falsifikimesh me trojet edhe në komunën e Baldushkut. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, sipas të cilave kallëzimi penal që është bërë shkak për hapjen e hetimeve në rastin e Baldushkut ka mbërritur së fundi në duart e hetuesve. Burimet nga organi i akuzës pohojnë se bëhet falë për sipërfaqe të ndryshme toke në komunën e Baldushkut të cilat në total, sipas verifikimeve të bëra deri më tani, arrijnë në sipërfaqen 18 mijë metra katrorë. Prokuroria tha se menjëherë sapo ka marrë kallëzimin, ka bllokuar dokumentet e pronësisë që bëjnë fjalë për sipërfaqen e tokës me të cilën dyshohet se është abuzuar si dhe ka verifikuar ligjshmërinë e praktikës së dhënies së pronësisë. Organi i akuzës ka dërguar për ekspertizë shkencore me qëllim zbulimin e falsifikimeve, një pjesë të mirë të dokumenteve të sekuestruara. Për këtë çështje, ashtu si edhe për abuzimet me pronat në komunat Farkë, Dajt dhe Petrelë, persona në hetim janë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e njësive të pushtetit vendor.
“Masakra e pronave”
Në Prokurorinë e Tiranës ka shkuar në 45 numri i kallëzimeve penale të bëra nga qytetarët, për abuzimet me pronat në komunat periferike të kryeqytetit. Zgjerimi i metropolit shqiptar çdo ditë e më shumë, duket se i ka bërë zonat në periferi të tij të lakmueshme nga persona të ndryshëm, që dyshohet se kanë përfituar padrejtësisht qindra sipërfaqe trojesh duke paguar ryshfet tek zyrtarët e pushtetit lokal, hipotekave, Përmbarimit apo edhe tek topografët, që kanë bërë verifikimin e pronave në terren, duke plotësuar më pas edhe dokumentacionin. Nga burimet zyrtare të organit të akuzës mësohet se, për komunat në periferi të Tiranës veç kallëzimeve të qytetarëve janë bërë denoncime edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Denoncimet e këtij të fundit për abuzimet me sipërfaqet e tokave në komunat përreth Tiranës mësohet se, përkojnë me trojet për të cilat janë ankuar edhe qytetarët. Vetëm për komunat Farkë dhe Kashar, KLSH-ja mësohet se ka denoncuar në Prokurori 4 punonjës të Zyrës së Përgjithshme të Regjistrimit të Paluajtshme dhe Hipotekës së Tiranës, të cilët kanë regjistruar pronat e tjetërsuara me dokumente false dhe jashtë kushteve ligjore. Po ashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka denoncuar në Prokurori edhe personat dhe zyrtarët që kanë ushtruar funksione publike në ish-Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë dhe ish-Komisionin e Ndarjes së Tokave Bujqësore në Komunat Farkë dhe Kashar. Sipas hetimeve të deritanishme zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Komunave Farkë, Dajt, Petrelë dhe Baldushk kanë kryer një sërë abuzimesh me pronësinë e tokave në këto zona, duke dhënë certifikata pronësie dhe duke bërë falsifikime dhe mbivendosje gjatë pesë viteve të fundit.

Abuzimi me pronat

Në komunën e Farkës
97 troje me mbivendosje e falsifikime
416.140 m2 sipërfaqja e pronave të abuzuara
34 troje të marra në pronësi me dokumente false
429.457 m2 tokë të pronësuara me falsifikime
a
Komuna e Dajtit
323 490 m2 tokë “pyll” në Linzë, Lanabregas, Priskë e Madhe e Babrru
672 240 m2 “pyll” në komunën Dajt
45 mijë m2 pyll në Lanabregas
9 100 m2 tokë “truall” në Linzë
7 680 m2 “arë”, në fshatin Lanabregas

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›