Vrasja e Saliut, dëshmitë zbardhin identikitin e autorëve
DURRES - Ngushtohet rrethi i personave të dyshuar për implikim në atentatin mafioz të Durrësit. Sipas seksionit të policisë kriminale hetimet po vazhdojnë në një pistë të vetme, e cila ka të bëjë vetëm me një numër të kufizuar njerëzish, ngjarjesh dhe rrethanash. Pasi kanë shoqëruar mbi 40 persona në 48 orët e fundit hetuesit kanë arritur t'i afrohen identitetit të ekzekutorëve. Por zhvillimet mbi ngjarjen janë klasifikuar si "top sekret" dhe policia lokale nuk bën të ditur asnjë informacion në rrugë zyrtare, pasi dyshimet lidhen me një hakmarrje të Bandës së Durrësit. Sipas burimeve, ngushtimi i rrethit për vrasësit ka të bëjë me vjeljen e shumë informacioneve të marra nga të shoqëruarit e shumtë, dëshmitarët okularë dhe të afërmit e viktimës. Nga policia e Durrësit janë lënë të lirë dhe 20 të shoqëruarit e fundit mbi ngjarjen që i mori jetën 37-vjeçarit Arjan Saliu. Aktualisht në komisariat nuk ka asnjë person të shoqëruar, por falë dëshmive të shumta është ndërtuar identikiti i vrasësve. Ngjarja e ndodhur në kryqëzimin e rrugës "Mujo Ulqinaku", ka mobilizuar si asnjëherë më parë uniformat blu. Ndërkohë shumë të tjerë të veshur civilë, por edhe me furgonë policie vijojnë patrullimet nëpër rrugët e qytetit. Akt-ekspertizës së detajuar i është nënshtruar edhe autovetura tip "Wolksëagen 5", e cila ishte në pronësi të viktimës. Në bazë të shenjave të plumbave janë kryer edhe akt-ekspertimet balistike mbi mënyrën e ekzekutimit.