Kapet 29-vjeçari me kallash në makinë
Korçë Pranga të riut, nuk i bindet policisë, mbante armë në makinë. Një 29-vjeçar nga Tirana është zbuluar në Korçë, teksa posedonte armë dhe një sasi municioni. Sipas të dhënave të policisë lokale, shtetasi Ndriçim Boshnjaku, banor në qytetin e Tiranës, është kapur rastësisht në një postbllok polici të ngritur në kuadër të operacionit të koduar “Vjeshta 2011”, i cili është duke u zbatuar në të gjithë vendin. Gjatë mëngjesit të të dielës Boshnjaku ishte duke udhëtuar në lagjen 7 të qytetit të Korçës me automjetin e tij tip “Lancia” me targa greke AB 829 YA. Të lartpërmendurit i është kërkuar të ndalojë në kontrollin rutinë, të cilit i nënshtroheshin të gjithë automjetet që lëviznin në këtë pjesë të qytetit. 29-vjeçari nuk ka preferuar të ndalojë, ndërsa ka kaluar postbllokun me shpejtësi duke u larguar. Ndërkaq, forca të shumta policie janë vënë në ndjekje të të riut, që për më shumë se 20 minuta si në filmat hollivudianë ka lodhur policinë. Pas ndalimit, gjatë një kontrolli të ushtruar në mjetin e tij me targa të huaja, policia ka zbuluar një automatik të tipit kallashnikov me 27 fishekë të vendosur në një krehër, që i mbante të fshehura në bagazh. Gjithashtu, përveç sekuestrimit të armës vrasëse, policia ka bllokuar në cilësinë e provës materiale edhe mjetin e të arrestuarit, që do të përballet me drejtësinë për akuzat “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake” si dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të policisë”.