E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e 65-vjeçarit, dyshohet për motive pronësie

Sipas hetimeve nga policia, dyshohet se 65-vjeçari është vrarë me mjete të forta, ndërkohë janë shoqëruar për në komisariat dhjetë të dyshuar

FIER Dy ditë pas vrasjes së Ahmet Feleqit, 65 vjeç, banor i fshatit Ngjeqar në Fier, janë shoqëruar dhjetë të dyshuar, ndërsa dyshohet se vrasja mund të jetë kryer për motive pronësie. Dy ditë më pas, në fshatin që shtrihet rreth 20 km larg qytezës së Roskovecit, askush nuk të jep një përgjigje për këtë vrasje. Banorët ngrenë supet për këtë ngjarje të rëndë, duke pohuar se janë të shokuar me mënyrën sesi është vrarë bashkëfshatari 65-vjeçar Ahmeti, njeriu që shihte, sipas tyre, hallin dhe problemet e tij familjare. Viktima është babai i pesë vajzave dhe një djali, i cili vuan nga sëmundje mendore. Tre vajzat i ka të martuara, ndërsa dy të tjerat janë të mitura. Ndërsa djali i tij Todi është i sëmurë. Shtëpia e të ndjerit shtrihet në qendër të fshatit, afër një punishteje mielli. Për të mbijetuar dhe ushqyer tre fëmijët që ka në shtëpi, i moshuari 65-vjeçar kishte krijuar një tufë me të imta, kryesisht dele. Me të ardhurat që nxirrte nga kjo tufë ai ushqente dhe familjen. Pikërisht edhe në ditën e djeshme ai ka dalë për të kullotur bagëtitë në periferi të fshatit në një tokë që i përkiste familjes së tij si pronë.

Bashkëfshatarë dhe të afërm kanë pohuar se rreth orës 19.00 është parë së bashku me tufën e deleve që po i nxirrte nga kullota në drejtim të shtëpisë. Ndërsa më pas, djali që ka parë mungesën e babait, ka shkuar afër tokës dhe e ka gjetur atë të pajetë, të goditur me mjete të forta në kokë. I tmerruar djali ka shkuar dhe ka njoftuar të afërmit e tij. Kanë qenë të afërmit, personat e parë, që kanë shkuar në vendngjarje. Dhe kanë gjetur të pajetë dhe mes gjakut trupin e 65-vjeçarit Ahmet Feleqi. Policia ka mbërritur dhe pasi ka këqyrur gjithçka që kishte lidhje me vendin e ngjarjes, ka kryer dhe ekspertizën përkatëse. Mësohet se gjatë ditës së djeshme në mjediset e komisariatit të policisë Fier janë shoqëruar dhjetëra persona. Dyshimet e para lidhen me vrasje për shkak të pronësisë. Por nuk përjashtohen edhe pista të tjera hetimi, që kanë të bëjnë edhe me ndonjë grindje të çastit. Policia ka nisur të hetojë dhe për ndonjë mosmarrëveshje të tij me bashkëfshatarë apo të afërm, për çështje që kanë të bëjnë me dëmtime të mbjellash, apo grindje për motive të tjera që kanë të bëjnë sërish në qendër të tyre me tokën bujqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›