Sarandë, kapen 142 kg marijuanë, do transportoheshin në Greqi
Në Elbasan tre persona janë arrestuar pasi janë kapur në makinë me heroinë që kishte si destinacion shtetin helen
Në dy fshatra të Sarandës në Xarrë dhe në Ksamil është kapur një sasi droge prej 142 kg, ndërsa janë shoqëruar tre persona, të cilët janë marrë në pyetje për të mësuar më shumë lidhur me identitetin e poseduesve të kësaj droge. Ndërsa në Elbasan gjatë një operacioni të koduar “Shtegtimi” kanë rënë në pranga tre persona, të cilëve iu kapën 120 gramë të llojit heroinë, e cila mendohet se kishte si destinacion tregun helen.
Sarandë
Mbrëmjen e djeshme, sipas burimeve nga policia shqiptare, mësohet se është bërë e mundur sekuestrimi i 68.5 kg kanabis sativa në fshatin Xarrë të Sarandës. Por të njëjtat burime kanë saktësuar se kapja e kësaj sasie të konsiderueshme është bërë në sajë të hetimeve të policisë, e cila kishte rënë në gjurmë të një grupi që trafikonin kanabis drejt Greqisë. Droga që u gjet dje ishte fshehur në disa shkurre dhe ishte paketuar në 2 çanta. Pas bllokimit të kësaj sasie, uniformat blu kanë ndaluar 3 persona, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për të mësuar më shumë lidhur me pronarët e vërtetë të kësaj sasie, e cila ishte kapur në momentin kur do të transportohej për në shtetin fqinj.
Ndërsa, po paraditen e djeshme, në ujërat e detit Jon mes Korfuzit dhe Sarandës janë zbuluar 57 kilogram kanabis. Në fakt sasia e drogës është gjetur nga policia e Korfuzit, e cila ka qenë duke patrulluar në ujërat përballë Ksamilit dhe ka parë 2 çanta në vendin e quajtur Aliko. Pasi kanë kontrolluar çantat, policia ka gjetur 74 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa e ndarë në 23 pako. Mësohet se droga është e lagur, duke ngritur dyshime se ajo është transportuar nga brigjet shqiptare dhe se trafikantët e kanë hedhur në det, pasi mund të jenë trembur se dikush e ka pikasur trafikun, ose mjeti me të cilin është transportuar mund të ketë pësuar ndonjë dëmtim.
Operacioni “Shtegtimi”
Seksioni i luftës së drogës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, kanë vënë në pranga Hyqmet Spahollarin 56 vjeç, Pashako Spahollarin 55 vjeç, me banim në Pogradec; dhe Sali Allushin 47 vjeç me banim në Elbasan, pasi gjatë operacionit të koduar “Shtegtimi”, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, u gjet e u sekuestrua në mjetin tip Benz me targë AA 814 AM në pronësi të Hyqmet Spahollarit 120 gram lëndë narkotike e llojit heroinë. Burime hetimore pohuan se autorët kishin kohë që ishin nën survejim, pasi policia dhe prokuroria kishte informacion se ata edhe herë të tjera kishin dërguar lëndë narkotike në drejtim të Greqisë. Pas investigimeve disamujore, dje ata janë kapur në flagrancë në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, ndërsa udhëtonin me mjetin tip Benz. Nga hetimet paraprake rezulton se destinacioni i lëndës narkotike ishte shteti fqinj Greqi. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti tip Benz, droga dhe tre telefonat celularë. Hetimet janë përqendruar në burimin e furnizimit me lëndën narkotike. Gjatë këtij viti seksioni antidrogë në Elbasan ka kryer mbi 30 operacione të kësaj natyre dhe ka vënë në pranga 56 shtetas, të cilët janë duke u përballur me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. F.S